Deputeti socialist Sajmir Tahiri ka kërkuar nga kryeministri Sali Berisha që t'u thotë shqiptarëve bilancin e 'luftës' të këto tre muajve të fundit, ku kanë humbur jetën 158 qytetarë.
"Arsyeja e vërtetë e ngjarjeve të rënda të tre muajve të fundit është keqqeverisja. Berisha flet për imunitetin e jo për vrasjet. Shan opozitën çdo ditë, por nuk flet për krimet që ndodhin, për vjedhjet, për vrasjet, për trafikun e drogës", tha Tahiri, në një dalje për mediat në selinë rozë.
Deputeti Tahiri theksoi se kjo gjendje merr fund kur të marrë fund kjo qeveri, ndërsa u shpreh se tani vendit i duhet një prokuror i pavarur dhe gjykata ta pavarura.
Ditën e premte ishte po deputeti Tahiri që përmes një letre dërguar Kryeministrit kërkoi prej tij të japë llogari për atë çfarë po ndodh nëpër minierat e Shqipërisë. Duke folur në emër të grupit socialist, Tahiri kujtoi se vetëm një ditë më parë një tjetër minator dhe një tjetër u plagos rëndë, duke akuzuar qeverinë se i ka lënë këta njerëz në mëshirë të fatit dhe të mafias që shfrytëzon minierat.
“Nuk di sa çnjerëzore mund të jetë numërimi publik i minatorëve që po vriten në galeritë e minierave, nën hundën tuaj dhe heshtjen thuajse kriminale. Inventari makabër i minatorëve që trajtohen si skllevër dhe i minierave që janë kthyer në kampe përqëndrimi të kohëve moderne, do bënte të dridhej e të kërcente nga karrigia, dhe njeriun më të pashpirt, jo më kryeministrin e vendit”,- thuhet në letrën e Tahirit.