Të blesh një pikturë për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve jetimë. Përmes një akti human, çdokush prej nesh mund t’u vijë në ndihmë atyre që kanë kaq shumë nevojë për pak dashuri. Këtë synon të përcjellë ekspozita “Arti i të qenit njeri” e përbërë nga punime të nxënësve të shkollave të qytetit.
“Arti i të qënit njeri”,- kështu titullohej ekspozita konkurs e hapur në ambientet e Flagship center nga ana e qendrës “Albania”. Një ekspozitë pikture që përveç transmetimit të vlerave artistike kërkonte të përcillte shumë më tepër…. Synonte të përcillte vlera njerëzore. Një ekspozitë konkurs jo e artistëve të afirmuar, por e talenteve të reja, e nxënësve të shkollave të qytetit të Durrësit, të apasionuar pas artit të pikturës.
Të mësuar të shohim ekspozita të ndryshme pikture, ku shpesh na qëllon të pyesim për çmimin e një tabloje që na tërheq vëmendjen, tek kjo ekspozitë e veçanta qëndron në faktin se çmimin për pikturën më të mirë mund ta përcaktojë secili prej nesh dhe më pas po secili prej nesh mund të bëhet pronar i saj. Paratë e mbledhura nga shitjet e këtyre kuadrove do të shkojnë për një qëllim fisnik, në ndihmë të fëmijëve jetimë.
Pra krahas evidentimit të aftësive artistike të talenteve të vegjël, aspekti human i kësaj ekspozite të bën të kthesh vëmendjen e t’u vish në ndihmë atyre që janë të vetëm në këtë botë, që kanë më shumë se kushdo nevojë që dikush t’u japë një dorë, t’u falë pak dashuri. Sipas kuratorit të kësaj ekspozite, Ismail Saliko, ky ishte qëllimi kryesor i këtij aktiviteti dhe nisma gjeti menjëherë mbështetjen e kryetarit të këshillit bashkiak të Durrësit, Indrit Hamiti, Drejtorisë Arsimore Rajonale dhe fëmijëve pjesëmarrës.
Saliko shprehet gjithashtu se “krahas evidentimit të artistëve të vegjël më të talentuar të qytetit tonë, iniciativa tenton të krijojë një traditë të bukur në këtë drejtim, që mund të përsëritet jo vetëm me nxënës shkollash, por dhe me artistë të Institutit të Lartë të Arteve. Në të njëjtën kohë kjo nuk nënkupton se gjithmonë këto aktivitete do të jenë të përqendruara në fushën e pikturës. Mund të organizojmë konkurse edhe për krijimin më të bukur letrar etj”.
Aktualisht qendra “Albania” do t’i dërgojë të gjitha të ardhurat që do të mblidhen nga shitjet e këtyre pikturave në shtëpinë e foshnjës në Durrës, por në të ardhmen mund të ndihmohen edhe azilet e pleqve apo shtëpia e fëmijëve “Zyber Hallulli” në Tiranë. Në këtë ekspozitë marrin pjesë 76 nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të qytetit, të cilët kanë prezantuar në këtë konkurs 125 punime artistike. Peizazhe, natyra të qeta, kompozime, por dhe tablo dedikuar 100-vjetorit të pavarësisë ishin disa nga pikturat që dominonin në këtë ekspozitë.