Përsëri ashtu si në edicionin e kaluar, përballë njëra tjetrës për titullin kampion janë skuadrat e Teutës dhe Studentit. Ndeshjet gjysmëfinale të play off-it, treguan për të dy ekipet se sfidat për titullin edhe më tej do t’i zgjidhin në dyluftimet njëra me tjetrën. I këtij mendimi është edhe trajneri maqedonas i Teutës, Hari Nakovski, i cili në prag të nisjes së serisë së takimeve të play out-it dhe pas ndeshjes së parë dha këtë intervistë ekskluzive për gazetën Dyrrah:
Teuta juaj është në gjendjen më të mirë?
Gjykoj se po. Dy ndeshjet e sapo luajtura me Tiranën, siç e kam thënë edhe në një rast tjetër na afruan ndjeshëm me psikologjinë e betejës sportive që na pret me Studentin. Veçanërisht në ndeshjen e dytë në Tiranë, dyluftimi ishte shumë i fortë. Djemtë kanë ardhur duke e ngritur profesionalizmin.
Teuta – Studenti është një sfidë edhe ndërmjet tri maqedonasve dhe dy serbëve…
Ne jemi inkuadruar në volejbollin shqiptar dhe matësi i vlerave tona është në këtë kuadër. Meqenëse ju e shtroni pyetjen kështu, dueli e ngacmon edhe këtë pjesë të konkurrimit. Sporti i rrjetës në ish republikat jugosllave, është i zhvilluar dhe padashur të nënvlerësoj vlerat e volejbollit shqiptar diferencat janë të ndjeshme në raport me ju. Fakti që këta lojtarë janë marrë si përforcim, është argumenti më i mirë. Si pa dashur në këtë sfidë jam vënë edhe unë si trajner i Teutës. Do të jetë një dyluftim tërheqës dhe me vlera.
I jepni prioritet faktorit fushë?
E kemi treguar që kjo nuk ndikon, në ekipe të tilla si Teuta që është e kristalizuar në mënyrën e lojës që zhvillon.
Një Teutë kampione ndikon në karrierën tuaj?
Sigurisht që po, sepse pasurohet më tej edhe me një titull kampion në një shtet të huaj. Do më vinte mirë nëse ndodh kjo gjë, sepse pas Strumicës kampione e Maqedonisë vjen edhe Teuta si kampione e Shqipërisë.
Trajneri maqedonas i Teutës, Hari Nakovski, është i mendimit se titulli kampion do të mbetet sërish në Durrës dhe se skuadra do të tregojë se është e denjë ta bëjë këtë gjë. Teuta është kampione në fuqi dhe një nga ekipet më cilësore vitet e fundit në volejbollin shqiptar
Teuta e mbron titullin, Studenti kërkon revanshin. Çfarë do të ndodhë sipas jush?
Ekuilibri është i plotë, forcat duken gati të njëjta. Rivalja jonë do të kërkojë të na e rrëmbejë titullin e neve na takon ta mbrojmë. Jam i mendimit se titulli sërish mbetet në Durrës dhe do të tregojmë se jemi të denjë ta bëjmë këtë.
Pas kësaj fitoreje, e keni më të lehtë të konfirmoni se Teuta e zgjidhi problemin për titullin?
Ne jemi profesionistë dhe gëzimi i një fitoreje të tillë, nuk duhet të na rrëmbejë më shumë se ç’na takon. Në intervistën para fillimit të play out-it kam qenë shumë i rezervuar dhe i matur, pasi sporti është delikat. Humbet edhe në rastet kur e mendon suksesin si fakt të kryer. Dhe fitoren e parë e trajtoj si fillim të mbarë dhe premtues. Të mos harrojmë janë edhe katër ndeshje të tjera.
Deklarimet e homologut tuaj të Studentit, Ylli Tomori, se i konsideron si formalitet ndeshjet me Teutën si i komentoni?
Duhet të jetë më i matur, pavarësisht se drejton një ekip shumë të fortë dhe me përforcime. Ai nuk duhet të harrojë që Teuta është kampione në fuqi dhe me sa jam informuar është një nga ekipet më cilësore vitet e fundit në volejbollin shqiptar. Në këtë të folur nuk ka sadopak “diplomaci”. Kur të mbaroj play off-i, është kohë e mjaftueshme për të evidentuar vlerat, qoftë edhe mburrje.
Sa përqind rritet shkalla e sigurisë së Teutës për titullin, kur ka kaluar me sukses ndeshjen e parë dhe në transfertë?
Avantazhi i krijuar është inkurajues dhe nxit dukshëm shkallën e sigurisë për titullin. Por të mos nxitohemi, sepse janë edhe katër ndeshje për t’u luajtur dhe gjithçka mund të ndodhë. Shanset mbeten ende të barabarta, ndonëse ekipi ynë është në avantazh të një fitoreje. Edhe një herë tjetër shfaq bindjen se titulli mbetet në Durrës, por na duhet të japim sërish prova.