Teuta ka synime të qarta në sportin e boksit, pasi kërkon që në kampionatin kombëtar për U-16 të jetë një nga pretendentët për titullin kampion. Trajneri Jani Jano me grupin e boksierëve që drejton është në kulmin e përgatitjeve. Ata mezi presin 26 prillin, ditën kur fillon kampionati kombëtar i boksit për moshën 16 vjeçare, që me 29 prill në epilogun e tij të sjellin në Durrës trofeun. Por cilët janë protagonistët?

Teuta shtrin pjesëmarrjen në 8 pesha dhe në të gjitha kërkon vendin e parë. Shumë cilësorë janë boksierët Ardit Nurja në peshën 46 kg, Julian Malasi në 63 kg dhe Gjovalin Bibaj në 70 kg, që aktualisht janë kampionë me shkollorët. Pesë konkurrentët e tjerë; Klevis Vrapi, pesha 48 kg, Majlind Lile, 54 kg, Man Çela, 60 kg, Anist Zaimi, 66 kg dhe Valter Çaushi, +80 kg kërkojnë ta shfrytëzojnë këtë konkurrim të tyre të parë, për të rrëmbyer medaljet e kampionit të vendit.

Për herë të parë, kjo veprimtari e rëndësishme kombëtare zhvillohet në sallën e kino-teatrit të Kavajës. Nga 8 boksierët durrsakë, më i vjetri është Man Çela i cili është ngjitur në ring në moshën 8 vjeçare. “Jemi përgatitur seriozisht, për të sjellë në Durrës titullin kampion. Të tetë boksierët tanë janë të talentuar dhe me të ardhme.

Boksi është pasioni i jetës së tyre dhe përpos kësaj kërkojnë ta zhvillojnë atë në ecurinë e një karriere të mbarë. Kampionati përkon edhe me përvjetorin e ndarjes nga jeta të trajnerit të paharruar, që aq shumë punoi për të ngritur boksin durrsak Neki Abazaj. Kjo është edhe një arsye më shumë, për të motivuar boksierët tanë në triumfin e paralajmëruar për të pronësuar titullin kampion”,- thotë trajneri i palodhur Jani Jano.