Një ekspozitë fotografie që sjell imazhet e një Shqipërie gati gati të harruar
Një kthim prapa në kohë, atëherë kur vendi po përballej me ndryshimet e para demokratike, po ku vula e sistemit komunist shihej mjaft qartë
Një këndvështrim ndryshe i Shqipërisë së para njëzet viteve. Një këndvështrim real i Durrësit para ndryshimeve demokratike, qyteti i cili dilte i rraskapitur nga një epokë komuniste, për të nisur një rrugë tjetër drejt perëndimit. Ky është vizioni i ekspozitës së fotografit të njohur britanik Martin Parr, hapur në qytetin bregdetar të Durrësit. Një fotografi reale e cila sjell para nesh kujtimet e një kohe të harruar me një vërtetësi që të elektrizon. Rradhët e gjata të bukës, qendra e ftohtë e Durrësit, punëtoret e lodhura të fabrikave, veshjet standarte të kohës, zymtësia e ngjyrave dhe ndjeshmëria e lartë kanë ngrirë në celuloidin e një periudhe të kaluar, për tu kontrastuar me të tashmen. Ata të cilët e kanë jetuar këtë epokë ndalojnë, kujtojnë, krahasojnë dhe kuptojnë se çfarë ndryshimesh kanë ndodhur. Njëzet vite më parë, Martin Par vizitoi dhe fotografoi Shqipërinë e asaj periudhe, duke krijuar një galeri të veçantë peizazhesh dhe portretesh nga gjashtë qytete të Shqipërisë, mes të cilëve dhe Durrësi. Ekspozita fotografike që përmbledh koleksionin me titull “Shqipëria” ,po i ofron vizitorëve durrsakë në Galerinë e Artit Pamor “Nikolet Vasia” një retrospektivë interesante të qytetit bregdetar në një të kaluar njëzet vjeçare.
Organizatorë të kësaj ekspozite janë Këshilli Britanik në vendin tonë dhe Bashkia e Durrësit, të cilët i ftuan artdashësit jo vetëm të shohin koleksionin me foto nga vendi ynë, por edhe të përfshihen në një eksplorim fotografik të të njëjtave vende dhe portrete në ditët e sotme, duke marrë pjesë në konkursin më të ri të fotografisë dixhitale të “British Council Albania”. Ekspozita u vizitua dhe nga përfaqësuesja e Këshillit Britanik në vendin tonë si dhe nga ambasadorja e Britanisë së Madhe në Tiranë, Fiona Mcllwham, e cila i ftoi artdashësit jo vetëm të shohin koleksionin, por edhe të përfshihen në një eksplorim fotografik të të njëjtave vende dhe portrete në ditët e sotme, duke marrë pjesë në konkursin më të ri të fotografisë dixhitale të “British Council Albania”. Duke u ndalur në këtë ekspozitë kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, shprehu bindjen se fotot e sotme do të mund të fshijnë trishtimin dhe keqardhjen që shkaktojnë fotot e Martin Parr për realitetin e vitit ‘90. Fotografi 59-vjeçar, Martin Parr, konsiderohet një kronikan i kohës sonë. Fotografitë e tij ndonjëherë janë vlerësuar si të ekzagjeruara, madje dhe groteske, pasi motivet që ai zgjedh janë të çuditshme, ngjyrat e ndezura dhe perspektiva të pazakonta. Burrat e gratë në parukeri, një dyqan i varfër dhe i pisët buke, radhë në një dyqan bulmeti apo për të siguruar televizorët e parë të markës Philips, fëmijë kopshti dhe nxënës shkolle, një lojë pingpongu a një shishe birre e kthyer në lokalin e lagjes pas pune, pa harruar fiksimin në celuloid të bunkerëve janë disa nga pamjet që kanë tërhequr vëmendjen e Parr në Shqipërinë komuniste të 1990-s.
Ky koleksion fotografik do të qëndrojë i ekspozuar për publikun artdashës në Galerinë e Artit Pamor që mban emrin e piktorit të mirënjohur Nikolet Vasia, i cili u nda nga jeta verën e kaluar, gjatë të gjithë muajit dhjetor. Pas Durrësit, ekspozita do të shtegtojë drejt Shkodrës, Korçës, Vlorës, Gjirokastrës dhe Sarandës në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm. Ekspozita është e ndarë në tri cikle. Instalacioni me 270 foto i quajtur “Common sens”, 1995-1998, është një seri imazhesh të fokusuara mbi detaje, me ngjyra tejet të ndezura, të cilat japin detaje të botës moderne perëndimore, me të cilën jemi familjarizuar kaq shumë. Ndërsa dy ciklet e tjera të ekspozitës janë “Shqipëria 1990”, me 31 foto të përzgjedhura nga 108 fotografi të Shqipërisë së viteve ‘90. Edhe pse jo shumë të largëta në kohë, këto imazhe përshkruajnë një botë të ndryshme nga Shqipëria që njohim tani. “Botë e vogël” 1989-2007 është cikli tjetër me 20 fotografi me anë të të cilave Martin Parr tregon se si imazhi i një vendi të famshëm pushimesh është shpesh në kontradiktë me realitetin dhe si industria e turizmit ka krijuar një botë surreale të mbushur me vizitorë, duke i kthyer këto vende turistike në viktima të suksesit të tyre.
Martin Parr (23 maj 1952) është një fotoreporter britanik. Gjithmonë fotografitë e tij kanë kritikuar shoqërinë moderne, konsumin, ushqimin dhe turizmin. Martin Parr studioi për fotografi në Politeknikun e Manchesterit nga 1970 deri më 1973. Që nga ajo kohë, ai është marrë me projekte të shumta fotografike. Parr ka fituar një reputacion ndërkombëtar për imazhet e tij novatore, qasjen e tij të veçantë në fushën e dokumentimit social, dhe kontributin e tij për kulturën fotografike në Mbretërinë e Bashkuar dhe jashtë saj. Pavarësisht se në fillim u mor me fotot bardhë e zi, në vitin 1984 nisi të punojë me fotot me ngjyra. Pikërisht përdorimi i ngjyrave shumë të ndezura nxjerrin në pah anën humoristike dhe groteske të punëve të tij dhe njëkohësisht janë ajo çka e dallon nga të tjerët. Në vitin 1994 ai u bë fotograf i agjensisë Magnum Photos.
Në karrierën e tij është marrë dhe me muzikë; në vitin 2003 drejtoi realizimin e videoklipit “London” të grupit muzikor britanik Pet Shop Boys. Në vitin 1990 Martin Parr vizitoi Shqipërinë, në udhëtimin e parë turistik të zhvilluar në vend pas rënies së murit të Berlinit. Për këtë eksperiencë ai u shpreh: “ky ishte një udhëtim arkitekturor ku merrnin pjesë 14 persona, 12 prej të cilëve dolën se ishin gazetarë”. Shkrepjet e fotove ai i realizoi në mëngjes herët ose në momentet kur pati kohë të lirë. Edhe pse jo shumë të largëta në kohë këto foto tregojnë një Shqipëri shumë ndryshe nga ajo që njohim ne tani. Një kritik arti i njohur, Gerry Badger, e cilëson Parr,- “një fotograf ekzemplar të shekullit XXI. Edhe pse jo tamam-tamam modernist, edhe pse jo postmodernist, ai është një rreze drite, një themelues i Shkollës së re europiane të fotografisë me ngjyra, në të njëjtën kohë është anëtar i Magnum, agjensisë lider të fotogazetarisë”. Kjo sipas Badger e bën Parr “familjar me rutinën bashkëkohore të fotogazetarisë”, por kjo nuk e pengon atë të punojë në mënyrë “konceptuale”, duke u ekspozuar si në galeri arti, ashtu dhe në galeri thjesht fotografike. Po sipas Bagder,- “Parr është një fotograf i vërtetë, një që jeton fle gjymë e merr frymë me fotografinë”. Praktika e Parr-it mbështetet mbi kalimin e shkathët nga një botë fotografike tek tjetra duke trajtuar në mënyrë instiktive çështje si: roli i fotografit, statusi i imazhit fotografik në kulturën tonë dhe padyshim natyra e vërtetë e kulturës bashkëkohore.