Pedagogen Esmeralda Uruçi do ta kujtojnë studentët e UAMD-së si shkodranen që krijoi një lidhje mes auditorit dhe kulturës. Një jetë e ndërprerë në mes në moshën 51-vjeçare si pasojë e komplikacioneve të sjella nga një aksidenti tragjik i ndodhur 17 dhjetorin e kaluar në aksin rrugor Tiranë-Durrës, në të cilin znj.Uruçi mbeti e plagosur.
Pas disa muajsh lufte me vdekjen, ajo u ndarë nga jeta më 21 mars të këtij viti në një spital në Austri ku gjendej për një kurim më të specializuar. Esmeralda Uruçi lindi në Shkodër dhe u diplomua në Fakultetin e Ekonomisë dhe në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë me rezultate të shkëlqyera.
Ajo ka qenë lektore në disa universitete të vendit, dekane e Fakultetit të Ekonomisë, drejtore e marrëdhënieve me publikun në Bankën e Shqipërisë, Ministre e Kulturës, Rinisë e Sporteve. Ka kryer disa specializime dhe kërkime shkencore në Itali, Greqi Slloveni, SHBA, Poloni, Gjermani, Çeki dhe në Bankën Qendrore Evropiane.
Aktiviteti i saj pedagogjik e shkencor ka qenë i gjerë dhe i gjithanshëm. Ka qenë autore e disa teksteve universitare. Botimet brenda dhe jashtë vendit përbëjnë veprimtarinë publicistike me tema që kryesisht prekin probleme ekonomike të periudhës së tranzicionit. Vitet e fundit të jetës së saj ka qenë e angazhuar si zëvendës Dekanë në Fakultetin e Ekonomisë dhe të Administrimit pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës.
Gjithashtu, ka qenë e angazhuar edhe si pedagoge jo efektive pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër dhe pranë Universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë. Majlinda Bushati Hafizi, kolege në UAMD si dhe Ermir Nika, drejtor i librit dhe bibliotekave në MTKRS japin për gazetën “Dyrrah” përshtypjet, momentet, copëza të shkëputura nga jeta e përditshme në punë me të ndjerën Uruçi.
Humbëm një mike të shtrenjtë
Pedagogia dhe kolegia e saj në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës znj. Majlinda Bushati Hafizi rrëfen momentet e ndryshme në punë me të ndjerën Esmeralda, duke sjellë në vëmendje të lexuesit jetën akademike të saj të lidhur ngushtë me auditorët e UAMD-së.
Si jeni njohur dhe si e njihnit ju znj.Esmeralda në fushën profesionale?
Me të ndjerën, Esmeralda kam studiuar në të njëjtën shkollë të mesme të përgjithshme “29 Nëntori” dhe në të njëjtën fushë të studimeve universitare, dega “Ekonomi Politike” pranë Fakultetit Ekonomik në Tiranë. Ka qenë e spikatur për etjen për dije, për njohjen e shkencave ekonomike dhe angazhimin serioz, përkushtimin dhe pasionin e saj për të kontribuuar në hartimin dhe implementimin e politikave ekonomike të zhvillimit të vendit tonë sipas modeleve ekonomike perëndimore. Vullneti i saj për thellimin e njohurive profesionale dhe shkencore është shfaqur në mënyrë konstante në tërë karrierën e saj profesionale, e materializuar kjo në gradat dhe titujt shkencor që ajo ka fituar në vite, si “Prof. Dr e Shkencave Ekonomike”.
Disa veçori që e karakterizonin Esmeraldën?
Shumë e nderuara dhe e respektuara Esmeralda, rrezatonte si tiparin e saj kryesor qytetarinë dhe fisnikërinë e familjes ku lindi, e shoqërisë ku u rrit dhe të qytetit që ajo përfaqësoi denjësisht dhe me krenari, në të gjitha nivelet e drejtimit dhe të bashkëpunimit, në institucionet akademike, administrative dhe politike. Karakteri i saj i qëndrueshëm, sa i ndjeshëm aq edhe shumë miqësor, si dhe qetësia e kthjelltësia e vlerësimit dhe gjykimit të problemeve të ndryshme në mënyrë fleksibël dhe shumë realiste, favorizonte dhe thjeshtëzonte shumë mënyrën e saj të komunikimit me kolegët, studentët apo vartësit, duke respektuar dhe vlerësuar në radhë të parë vlerat njerëzore e më pas ato profesionale e shkencore te tyre.
Cila është sipas jush ana e panjohur e zonjës Esmeralda, ato cilësi apo veçori që ia njihnin vetëm njerëzit më afër saj.
Nisur nga përvoja e marrëdhënieve të mija të afërta me shoqen, miken, kolegen, patrioten e bashkudhëtaren time të jetës (siç me pëlqente ta quaj) Esmeralda, mund të pretendoj se kam patur fatin të kem një mike të mirë të jetës, me disa cilësi që ndoshta pak kolegë i kanë njohur. Mund të kujtoj me shume nostalgji çiltërsinë, modestinë, mirësinë e humorin që ajo shfaqte në një rreth të ngushtë shoqëror, dëshirën për të organizuar periodikisht takime (dreka) me shoqet e saj të shkollës, për të organizuar fundjava me miqtë e të afërmit e saj të familjes etj.
Nuk mund të mos kujtoj dhe evidentoj vullnetin për punë dhe pasionin e saj për dije shkencore e politike, kur ajo rrinte me orë të tëra në zyrë para kompjuterit, për të realizuar çdo objektiv të punës mësimore e shkencore të UAMD, në kohë dhe me cilësi, pa minimizuar përgjegjshmërinë e lartë të saj ndaj familjes dhe angazhimin e saj në disa institucione të jetës akademike dhe në fusha të tjera administrative e politike si kryetare e LSI-së në Shkodër, nënkryetare e Këshillit të Bashkisë Shkodër, kryetare dhe anëtare e disa bordeve drejtuese të kompanive private e publike etj.
Trashëgimia dhe formimi i saj qytetar, profesional e shkencor, si dhe shansi për të patur në jetë, një shok e bashkudhëtar të denjë z. Dashamir, kanë ndikuar shumë në krijimin e një modeli të përkryer të një nëne, të dy fëmijëve të shkëlqyer Besmirës dhe Enit; të një bashkëshorte të denjë të shokut të saj të jetës z.Dashamir; të shoqes dhe mikes tonë të paharrueshme dhe të pazëvendësueshme, si dhe të një kolege e personaliteti të plotësuar akademik.
Si u përjetua humbja e saj në UAMD?
Duke u bërë pjesë e hidhërimit të madh të familjes Uruçi dhe të qytetit të Shkodrës, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës përjetoi me dhimbje shumë të madhe, jo vetëm hidhërimin njerëzor por edhe humbjen e madhe të një kolege, pedagoge e bashkëpunëtore të devotshme shkencore, e cila me statusin e zv/rektore-s së UAMD-së, të Kryetares së grupit shkencor për shkencat ekonomike, dhe të anëtares së këshillit të profesorëve të UAMD-së, arriti brenda një periudhe tre-vjeçare, të kontribuojë për hartimin, miratimin dhe zbatimin për herë të parë, të programeve të studimeve pasuniversitare në nivel “Masteri Profesional & Shkencor”, si dhe “Shkollë Doktoraturë”, sipas standardeve bashkëkohore, pranë një institucioni relativisht të ri të arsimit të lartë, siç është UAMD-së.
Në respekt dhe në vijim të punës dhe kontributit të paçmuar të znj. Esmeralda Uruçi në punën kërkimore-shkencore dhe pedagogjike, stafi akademik i UAMD-së do të përvijojë dhe zhvillojë më tej nismën e nisur prej saj, dhe kuadrin ligjor e institucional të programeve pedagogjike e shkencore të UAMD-së, për ta ngritur këtë institucion në nivelet e larta të konkurrimit rajonal dhe ndërkombëtar.
Do ta kujtojmë “zonjën e Shkodrës”
Drejtori i librit dhe bibliotekave në Ministrinë e Turizmi, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ermir Nika, tregon se si e ka njohur në vitet që punonte në këtë dikaster znj.Uruçi.
Si e keni njohur të ndjerën Uruçi?
Të flasësh për Esmeralda Uruçin tani që ajo sapo është ndarë nga kjo jetë është një detyrë sa e vështirë aq dhe me përgjegjësi. Kjo për vetë faktin se Esmeralda, gjatë punës dhe bashkëpunimit, ishte një njeri (kjo kohe foljore të cilën me duhet ta përdor shpesh tashmë) e cila nuk e kufizonte vetveten vetëm me një dimension të caktuar.
Ajo së pari ishte dhe mbetet një pedagoge e cila edhe në drejtimin e Ministrisë së Kulturës dinte të ngrinte urat e komunikimit dhe të bashkëpunimit me të gjithë stafin e ministrisë dhe njëkohësisht të ruante dhe të mos cenonte personalitetin e gjithkujt. Për ne të rinjtë e porsadiplomuar, që sapo kishim hyrë në sistemin administrativ, ajo ndikonte në mënyrë të drejtpërdrejtë në përvetësimin e njohurive bazë të kulturës dhe përgjegjësive administrative.
Në të njëjtën kohë gjente mundësi të na përfshinte në projekte me rendësi dhe njëkohësisht ndikonte që puna të ndihej sa më lehtë dhe e rrokshme për të gjithë. Esmeralda krijonte hapësira për të trajnuar stafin e MTKRS-së në programet dhe modelet më bashkëkohore të kulturës, administrimit publik dhe integrimit.
Çfarë tiparesh e karakterizonin Esmeraldën në punën e përditshme?
Një gjë tejet e veçantë ishte edhe përkujdesja e saj edhe ndaj detyrimeve dhe angazhimeve të gjithsecilit punonjës si në jetën familjare ashtu edhe në jetës artistike dhe shkencore. Ajo ishte dhe mbeti një faktor tejet pozitiv në miradministrimin e potencialeve krijuese dhe kërkuese te cilët për të konsideroheshin si gjymtyrët kryesore të ecjes dhe zhvillimit të Ministrisë së Kulturës dhe të institucioneve te saj. Puna e saj shërben edhe si model i përkryer i emancipimit të shërbimit civil, pasi ajo asnjëherë nuk rekrutoi në administratë individë të rekomanduar nga forcat politike, pasi për të mundësia bazë ishte profesionalizmi dhe CV-ja akademike e gjithsecilit.
Ajo rrezatonte fisnikëri, si edhe modelin e përkryer të një nëne të përkujdesshme dhe një bashkëshorteje të denjë për vet traditën familjare që përfaqësonte. Gjatë kohës së bashkëpunimit me të, por edhe më pas, ne u njohëm dhe u miqësuam edhe me familjen e saj të mrekullueshme. Përjetonim shqetësimet e saj si nënë ndaj rritjes dhe edukimit të të dy fëmijëve si edhe shikonim një harmonizim dhe një lidhje të përkryer midis saj dhe bashkëshortit, Dashamirit, njeriut tek i cili Esmeralda gjeti jo vetëm njeriun e jetës, por edhe bashkudhëtarin e denjë i cili nuk iu nda për asnjë çast, deri në frymën e fundit.
Gjatë gjithë këtyre viteve përvoja e bashkëpunimit me të u shndërrua në një miqësi të vërtetë familjare dhe humbjen e saj gjithsecili prej nesh e ka ndjerë para së gjithash si një humbje familjare. Esmerlda Uruçin, apo zonjën e Shkodrës, do ta kujtoj e nderoj gjithë jetën për atë mirësi e fisnikëri që transmetoi tek të gjithë ne gjatë gjithë këtyre viteve që patëm fatin ta njohim dhe të bashkëpunojmë me të.