Ditët e fundit të kantierit detar të Durrësit po mbyllen me prerjen për skrap të dokut lundrues. Trishtimi i punëtorëve që përjetuan rrënimin e një ndërmarrjeje që punësonte mbi 2 mijë punëtorë e specialistë. Rrëfejnë protagonistët e viteve “të arta” kur në brigjet e Durrësit ndërtoheshin anijet oqeanike.

 

Të shkelësh këto ditë të para pranvere në kantierin detar të Durrësit, të pushton trishtimi. Trishtim i rëndë e i zymtë, rrëqethës, si godinat hijerënda. Gërmadha të pafryma që brenda mbajnë historitë e mijëra punëtorëve, të mijëra viteve së bashku të mbledhura mbi supet e tyre. Janë vite të gëzimeve, të brengave, të sfidave, të rrënimeve, të jetuara aty. D

ikur qindra frymë aty punonin, ndërtonin, e përmbi peshën e ditës, përmbi lodhjen, mbi ditën në perëndim, niste e merrte jetë një anije e re, një barkë druri, apo metalike, merrte jetë gëzimi në sytë e atyre punëtorëve, marangozëve, elektricistëve, vinçierëve, tornitorëve, mekanikëve të skafit, fonditorëve, shkrirësve të metaleve, saldatorëve, zhytësve, kapitenëve, që linin pas krahëve copëra të mëdha problemesh, copëra jete të jetuara.

Ky ishte kantieri që në kohën më të lavdishme të tij, numëronte 4700 punëtorë, dhe ishte një shkollë e madhe për profesionet e punëtorëve në Durrës. Kantieri hesht, hesht…..duzina godinash hijerëndë, lebetijnë në ajrin pranveror, të zhveshura. Një heshtje që përcjell trishtim, mbi dy a tre punëtorë, me thinja, e me mustaqe, që vijnë rrotull.

Vijnë për herë të fundit, si për ditë të fundit për t’i thënë “lamtumirë” një industrie, që dikur kish qenë vetë jeta, vetë shpresa e ndërtuar me sakrifica, e ndërtuar me djersën e tyre, që u shkërmoq sikur të mos kish qenë kurrë, të mos kish ekzistuar.

Doku i mbytur

Varrosur nën ujë, prej muajsh, qëndron doku, i fundmi i kësaj ngrehine të madhe, dhe të mbërrish deri tek kullat e tij do të kalosh patjetër nëpërmjet pjesës së sipërme të dokut nëpër ca dërrasa që koha i ka kalbur, dhe zhurma e makinave prerëse të disa punëtorëve, që flasin një gjuhë tjetër, tregon se ky ishte fundi.

Fundi i një epoke, të një kantieri të madh. Doku po pritet për skrap, nga punëtorët turq të kompanisë “Kurum”. Shkallët e dokut qëndrojnë të zhytura thellë në ujë, dhe ndërsa mbërrin deri tek kulla e drejtimit, atje na pret artileria e rëndë e portit detar të Durrësit. Është biga “Adem Reka”, e cila jep kontributin e saj të fundit ndoshta për të nxjerrë këtë gjigant të madh prej uji në copa.

Paradoksale edhe biga “Adem Reka” është rikonstruktuar dhe mirëmbajtur pikërisht nga ky dok. Po pritet në copa të pavlera, që destinacionin e kanë në uzinën e shkrirjes së metaleve në Elbasan. Një fund i pikëlluar i një kantieri, i një doku, në të cilin u riparuan u ndërtuan, u ngritëm qindra anije, anije që çanë detet anembanë botës.Doku, e fundit pasuri e kantierit, u mbyt aksidentalisht korrikun e vitit të shkuar, 300 metra pasi kishte dalë për lundrim, i amortizuar në pjesën më të madhe. Pas një avarie si pasojë e amortizimit të madh, doku lundrues i riparimit të anijeve u mbyt në një thellësi prej 4 metrash.

Avaria ndodhi në kohën kur janë zhvilluar manovra për lëvizjen e dokut, pranë anijeve të peshkimit, drejt kalatës ku është parashikuar prerja e tij për skrap. Doku i kantierit, ishte nisur drejt Turqisë nga kompania pronare “Kurum” për t’u shitur me një vlerë prej 2 milionë dollarë. Ishte lundrimi i tij i fundit i cili zgjati vetëm pak minuta, pak metra për të mbetur përfundimisht aty, në vendin në të cilin mbërriti 65 vjet më parë. Hetimet e kryera nga një grup specialistësh, të Drejtorisë detare të Durrësit dhe prokurorësh, kanë nxjerrë në dritë faktin se mbytja erdhi si pasojë e mosfunksionimit të pompave, dhe djegies së tyre, në momentin e manovrave për të dalë nga porti.

Doku me një vlerë të madhe monetare është ndërtuar nga gjermanët që në Luftën e Dytë Botërore dhe më pas merret nga Polonia si dëmshpërblim për luftën. Doku, 250 metra i gjatë dhe lartësi 7 metra, shërbente për ngjitjen e anijeve nga deti në tokë ose e mban anijen në lartësinë e duhur nëpërmjet mekanizmave të saj.

Flasin punëtorët

Jetnor Sali një prej zhytësve të vjetër, punëtor në kantier prej 40 vjetësh, i ardhur aty në moshë të njomë, tregon se ky ishte fundi i një shkatërrimi të madh, të nisur dalëngadalë, por i nxitur nga strukturat qeveritare. “Kështu donte shteti, të prishte kantierin, e arriti, dhe ja në jemi punonjësit e fundit të kësaj ngrehine e cila pas pak ditësh nuk do të jetë më, thotë Jetnori. Personalisht mendoj se e ka shkatërruar shteti. I huaji nuk vjen dot dhe të shkatërrojë Shqipërinë. Shteti e solli dhe ja dha për ta kthyer në këtë gjendje”.

Ai tregon se tashmë në kantier kanë mbetur vetëm 60 veta. “Dikur ishim me qindra, tani merremi me shkarkimin e hekurave, që vijnë nga jashtë për t’u shkrirë në Elbasan. Doku ishte i fundit mjet që të kujtonte se këtu ka qenë një kantier i madh. Tani jemi duke ikur të gjithë sepse pas pak ditësh me prerjen e dokut, mbyllet gjithçka një kapitull, një histori e madhe”.

Jetnori tregon trishtimin që ndjen nga një pamje e tillë, pasi ka ardhur në kantier pothuajse fëmijë. “Ky është një krim i madh, krim që ka mbetet pa autorë, ndonëse ata duhet të dalin para përgjegjësisë. Kush na merr më në punë ne, për 36 vjet kam punuar nga reparti i nxjerrjes së anijeve tek doku dhe tek slipi. Aktualisht nuk ka mbetur asnjë repart që nuk kam punuar. Tani shikoni vetë, vetëm tullat i kanë mbetur kantierit”.

Petrit Dervishi është një tjetër punëtor, i cili shënon gati 50 vjet në këtë punë. Me thinjat e bardha në kokë, ai sodit ditët e fundit të kantierit dhe në mend i sillen pothuajse gjysme shekulli e kaluar atje. “Mori fund, kaq ishte, kaq, e shkatërruan dhe ja arritën qëllimit, ashtu siç deshën, për interesa të tyre të ngushta, e prishën kantierin detar”- shprehet Dervishi në lidhje me situatën në kantier.

Optimizmi i turqve 

Me marrjen e kantierit detar në pronësi të kompanisë turke “Kurum”, kantieri detar u shkatërrua, pasi “Kurum” e cila zotëroi në 2009 afërsisht 100 për qind të aksioneve, humbi të gjitha shërbimet që kryente. Kantieri detar përfshinte një sipërfaqe prej 120.000 metra katrorë në total, nga të cilat 80.000 metra katrorë janë ne tokë dhe 40.000 metra katrorë në det.

Por kompania turke “Kurum” në faqen zyrtare në internet shpjegon një analizë më të hollësishme të situatës në kantier dhe në tërësi optimiste. Kurum shkruan se nga rëndësia e tij logjistike dhe strategjike, si dhe përmirësimi i vazhduar i teknologjisë së lartë dhe procedurat e ardhshme të kujdesit dhe sistemet e mirëmbajtjes, Durrës-Kurumi parashikon riparimin dhe mirëmbajtjen e shërbimeve jo vetëm për anijet që lundrojnë me flamurin shqiptar, por edhe për anijet e shumta të regjistruara nën flamurin e vendeve të tjera, të udhëhequra nga Italia dhe Greqia.

Kantieri ofron avantazhe të konsiderueshme për kosto efektive nëpërmjet teknologjive që ajo zhvillon. Falë rëndësisë së tij strategjike, kontributi i Durrës-Kurumit në Grup si një nga objektet kryesore të Kurum Holding është parashikuar të ketë një rritje të qëndrueshme gjatë viteve. Kompania, e cila u bë një degë 100 për qind në pronësi të Kurum Holding në 2009, pret që të përfundojë procesi i transformimit të kantierit brenda dy vjetësh me një buxhet prej 70.000.000 $ për këtë qëllim.

Në të ardhmen e afërt, pas përfundimit të projekteve të investimeve të përcaktuara tashmë, Durrës-Kurum do të përmbushë potencialin e tij për të ofruar shërbime logjistike dhe të transportit tek vendeve e rajonit, ne veçanti në Itali, Greqi dhe Malin e Zi.