Duke iu bindur me entuziazëm dogmës së privatizimeve dhe liberalizimeve të imponuara nga organizmat financiare ndërkombëtare, qeveritarëve shqiptarë i pëlqen të përsërisin se vendi ynë “ofron një klimë miqësore për biznesin”. Me këtë slogan mendohet qoftë të ftohet ndonjë investitor i huaj në Shqipëri, qoftë të promovohen më tej aktivitetet private vendore. Pavarësisht se kriza ekonomike botërore po përkeqësohet, duke sjellur me të reçesion, ulje të kërkesës së brendshme dhe pra rënie të konsumit, shqiptarët janë të ftuar hapur nga politikanët e tyre për të investuar në biznes, për të krijuar një punë autonome. Të pajisur me një optimizëm të stuhishëm, qeveritarët tanë provojnë të bindin qytetarët se sistemi ekonomik dhe standardi i jetës shqiptare janë të shkëlqyeshëm dhe madje janë një model për Europën.

Kështu duket se klasa politike jo vetëm po pranon, por po miraton dhe promovon një sistem ekonomik thjesht mbijetese, në të cilin të gjithë bëjnë si bëjnë për të siguruar bukën e gojës dhe rropaten për të arritur në fund të muajit. Dhe nuk bëhet fjalë për një teori vetëm shqiptare, por për një fenomen që po përfshin mbarë Europën: terapia e liberalizimeve e diktuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar synon në fakt të stimulojë zhvillimin e aktiviteteve sipërmarrëse private, duke shtyrë të papunët të mos kërkojnë një punë me rrogë, duke u transformuar përkundrazi në punëdhënës të vetvetes”. Pra, duhet që të gjithë të mësojnë të mbijetojnë pa një rrogë fikse dhe që t'i nënshtrohen koncepteve të “rrezikut ekonomik”, “investimit”, “marrjes së kredive” (dhe pra të bashkëjetojnë me borxhe!), “pasiguri”, “shpresë”, “falimentim”, “ndryshim aktiviteti”…

Megjithatë, nuk është aspak e sigurt që modeli ekonomik shqiptar mund të zbatohet në vendet e tjera europiane. Duhet kujtuar se sistemi ekonomik i brishtë shqiptar mbahet në këmbë nga karakteristikat dhe cilësitë tipike të mentalitetit shqiptar, që gjithmonë kanë përfaqësuar kartën fituese dhe garancinë e mbijetesës së këtij populli: ndryshe nga europianët e tjerë, shqiptarët tregojnë “art sajimi” të jashtëzakonshëm dhe “art kënaqje” të habitshëm.

“Art sajimi” unë quaj instinktin tregtar që pak popuj të tjerë e kanë. Pak europianë do të kishin kurajën të shisnin çdo lloj malli në rrugë, siç ndodhte në pazaret e viteve '90 dhe siç shikohet edhe sot në qytetet shqiptare. Pak europianë do të kishin kurajën të hapnin biznese pa u siguruar më parë se do të kenë sukses dhe se do të vazhdojnë në vite. Pak europianë do të investonin paratë e tyre me kaq lehtësi, pa bërë më parë njëmijë llogari pesimiste. Pak europianë arrijnë të hapin, të mbyllin dhe të ndryshojnë bizneset e tyre me aq thjeshtësi sa shqiptarët. Fakti është se shqiptarët preferojnë të provojnë biznese private sesa të kërkojnë një punë me rrogën e sigurt. Ndërsa europianët protestojnë në sheshe kundër mungesës së punës, shqiptarët heshtin, vendosin tezga në rrugë ose, nëse mundin, marrin një dyqan me qira. Nuk presin rrogën nga Shteti apo nga ndërmarrje industriale, por zgjedhin “të jenë pronarët e vetvetes” dhe të fitojnë vetë një rrogë, sado e vogël të jetë. Ajo që çudit është se fitimi i një biznesi të vogël nuk e kalon rrogën e një nëpunësi banke, por pronari është i kënaqur sepse ndjehet “shef”.

Pra, në Shqipëri, në nivel sipërmarrës, të duket se je në një lloj konfuzioni mes “shpresës” (irracionale) dhe “pritshmërisë” (racionale) që punët të shkojnë mirë. Në fakt shpresa domethënë një besim optimist në mirësinë e së ardhmes, ndërsa pritja domethënë mundësia për të llogaritur me një siguri të arsyeshme mbi rezultate të programuara dhe të kontrolluara nga individi. Pritshmëria sipërmarrëse ka për qëllim realizimin e një procesi të parashikueshëm dhe të bazuar mbi themele të forta, nga i cili është mjaft logjike të pretendohen rezultate konkrete. Përkundrazi, shpresa orientohet drejt asaj që është e paparashikueshme, e paprogramueshme, befasuese – për shembull “ëndrra amerikane” për të bërë një thes me para duke u nisur nga zero. Dhe është kjo shpresa që shtyn aspirantët “biznesmenë” dhe aspirantët “shefa” të investojnë me optimizëm dhe mendjelehtësi në aktivitete të improvizuara dhe pa asnjë planifikim logjik dhe financiar. Kismet!

Arti i kënaqjes” shqiptare kundër “kulturës së standardeve” perëndimore

Avantazhi i tjetër i sistemit ekonomik shqiptar është pikërisht “arti i kënaqjes”, në kuptimin se njerëzit kanë pak pretendime dhe ndjehen “të pasur” me shumë pak. Të gjithë e dimë se Shqipëria nuk ka vuajtur këtë krizë ekonomike sepse për të qenë të lumtur mjaftojnë ushqimet, ilaçet, një televizor-plazmë dhe një makinë me cilindratë të madhe (e përdorur). Të gjithë gjërat e tjera nuk janë konsideruar si një prioritet. Nuk ka nevojë për ngritje pensionesh, sepse të moshuarit mbahen nga fëmijët. Nuk ka nevojë për reformim të sistemit shëndetësor, sepse njerëzit janë mësuar të paguajnë mjekët dhe e pranojnë këtë privatizim de facto. Nuk ka nevojë për krijimin e vendeve të punës, sepse njerëzit preferojnë “biznesin-bereqaves”. Nuk ka nevojë për asgjë që, në vendet e tjera europiane, është vlerësuar si e domosdoshme për të patur një jetë dinjitoze dhe të nivelit të mesëm. Dhe fakti tronditës është se, edhe pse kanë udhëtuar në të gjithë botën për emigracion e për turizëm, shqiptarët pranojnë akoma modelin e tyre ekonomik.

 

Në Shqipëri, në nivel sipërmarrës, të duket se je në një lloj konfuzioni mes “shpresës” (irracionale) dhe “pritshmërisë” (racionale) që punët të shkojnë mirë. Në fakt shpresa domethënë një besim optimist në mirësinë e së ardhmes, ndërsa pritja domethënë mundësia për të llogaritur me një siguri të arsyeshme mbi rezultate të programuara dhe të kontrolluara nga individi. “Ëndrra amerikane” për të bërë një thes me para duke u nisur nga zero është shpresa që shtyn aspirantët “biznesmenë” dhe aspirantët “shefa” të investojnë me optimizëm dhe mendjelehtësi në aktivitete të improvizuara dhe pa asnjë planifikim logjik dhe financiar. Kismet!

Në fakt, në pjesën tjetër të Europës, liberalizimet dhe shtimi i aktiviteteve private kontestohen sepse i frikësohen një varfërimi të përgjithshëm të sipërmarrësve për shkak të inflacionit të tepruar të aktiviteteve dhe konkurrencës. Në fakt, rezistenca më e fortë kundër liberalizimeve vjen nga “shoqatat e kategorive” (profesionistë, sipërmarrës, tregtarë, artizanë), të cilët i tremben invazionit të sektorëve të tyre ekonomikë nga ana e tepër subjekteve të reja, me uljen konsekuente të standardit të përgjithshëm të jetës. Në shoqëritë perëndimore – gjithmonë demokratike dhe kundër barazisë – disa aktivitete janë sinonimi i një stili jete dinjitoze apo madje prestigjioze. Jo rastësisht, neni 2233 i Kodit Civil italian përcakton se tarifat profesionale të avokatëve, noterëve, mjekëve, dentistëve, kontabilistëve (pra zanatet intelektualë më fitimprurës) nuk mund të zbresin nën një minimum të caktuar dhe se “masa e kompensimit duhet të jetë e përshtatshme për dinjitetin e profesionit”. “Dinjitet” do të thotë për shembull që një noter nuk do të duhej ta kishte zyrën buzë rrugës si çdo dyqan tjetër frutash dhe zarzavatesh, “dinjitet” do të thotë se çdo profesionist dhe biznesmen do të duhej të kishte lekët për të rregulluar dhëmbët, “dinjitet” do të thotë që fëmijët e tyre nuk do të duhej të vishnin veshje kineze prej akriliku.

Kur humb “standardi i dinjitetit”, njeriu perëndimor bie në depresion dhe shpesh vetëvritet. Nga 2007, për shkak të krizës ekonomike, shkalla e vetëvrasjeve në Europë është rritur me rreth 6% më shumë për çdo vit. Në Itali, në një mesatare prej 3000 vetëvrasjesh vjetore, shumica janë “të varfër të rinj”: burra familjesh që pushohen nga puna, prindër të divorcuar sepse nuk arrijnë të mbajnë me dinjitet fëmijët e tyre, persona që më parë i përkisnin klasës së mesme dhe që pastaj gjenden të rrokullisur në vështirësi ekonomike apo në ulje drastike të të ardhurave të tyre. Dhe është interesante kur vërehet se më shumë se 10% e vetëvrasjeve përbëhet nga sipërmarrës në falimentim, të cilët për çështje dinjiteti nuk mund ta rifillojnë nga e para.

Në veprën e tij të famshme “Vetëvrasja” (1897), sociologu francez Emile Durkheim, vërente se krizat ekonomike rrisin tendencën për vetëvrasje. Në vendet e industrializuara, me zhdukjen e rolit moralizues të fesë, prosperiteti ekonomik është bërë objektivi kryesor i individit dhe parametri i gjykimit të shoqërisë. “Standardet e dinjitetit” ngrihen në mënyrë konstante, ndërsa sasia dhe cilësia e të mirave të konsumit rriten pa mëshirë, duke provokuar pakënaqësi (apo edhe dëshpërim) të grupeve shoqërore të përjashtuara nga mirëqenia. Në të njëjtën mënyrë, kushdo që ka eksperimentuar një life-stile dinjitoz, është i aftë të përballojë me qetësi një ankth financiar dhe të përshtatet me një standard jetese më të ulët.

Por natyrisht vetëvrasja ekonomike është një plagë ekskluzivisht perëndimore, e lidhur me një tjetër “standard dinjiteti” dhe me një tjetër mënyrë të ndjeri të varfër në krahasim me atë të vendeve të tjera të botës, ku shpesh mungojnë paratë për ushqim dhe për një palë këpucë, dhe pra nuk ka kohë për të menduar për problemet ekzistenciale dhe të ashtuquajturin “dinjitet”.

Piramida e Maslow

Siç ka pohuar Durkheim është treguar nga e ashtuquajtura “piramida e Maslow”, sipas së cilës sa më shumë nevoja primare mbijetese të kihen aq më pak hyhet në sferën e problematikave personale dhe psico-afektive. Në 1954 psikologu amerikan Abraham Maslow formuloi teorinë e “hierarkisë së nevojave”, sipas së cilës nevojat e njeriut janë të ndara në pesë nivele të ndryshme, nga më elementaret (të domosdoshme për mbijetesën e individit) tek më komplekset (të karakterit psikologjik dhe social). Individi realizohet duke kaluar përmes stadesh të ndryshme, që duhen plotësuar në mënyrë progresive: nevoja fiziologjike, nevoja për siguri, nevoja për dashuri, nevoja për vlerësim, nevoja për vetërealizim.

Nevojat fiziologjike janë nevoja primare për mbijetesë (uri, etje, ftohtë, dëshirë seksuale), të domosdoshme për ruajtjen fiziko-biologjike të individit. Sipas Maslow çdo nevojë primare shërben si stimulator për çdo lloj tjetër nevoje: për shembull, individi që ndjen stimulin e urisë mundet në të vërtetë të kërkojë dashuri, siguri, stabilitet afektiv, përtej nevojës më të zakonshme të ushqimit fizik. Në shkallën e prioritetit, nevojat fiziologjike janë të parat që duhen plotësuar, përsa në bazën e nevojave të tilla është instinkti i vetëruajtjes, instinkti më i fuqishëm dhe universal që udhëheq sjelljet qoftë tek njerëzit qoftë tek kafshët. Nëse një individ nuk arrin të plotësojë asnjë nevojë dytësore, presioni i nevojave fiziologjike bëhet unik dhe prioritet. Vetëm kur nevojat fiziologjike plotësohen në mënyrë të lehtë dhe të rregullt, atëherë merren në konsideratë nevojat e nivelit më të lartë. Në qytetërimet moderne perëndimore, mbijetesa fiziologjike tashmë është bërë një përfitim i qëndrueshëm dhe afatgjatë, dhe kështu në qendër të vëmendjes janë nevojat më të evoluara.

Nevojat për siguri, domethënë nevojat për qëndrueshmëri, mbrojtje dhe përkatësi në një grup apo komunitet, lindin në momentin kur nevojat primare janë plotësuar më parë. Edhe këto nevoja janë motorë themelorë të disa sjelljeve me karakter social. Organizimi shoqëror që jep çdo komunitet në varësi të kulturës së tij është një mënyrë për të stabilizuar dhe për të siguruar modelin e rritjes së individit, ndërsa Shteti ka detyrën të garantojë sigurinë fizike të qytetarëve dhe qëndrueshmërinë social-ekonomike të jetës së tyre. Pa plotësimin e këtyre nevojave, shoqëria rrezikon të transformohet në një xhungël të qeverisur nga ligji i më të fortit, ku përfundon me triumfin e parimit të përzgjedhjes darviniane.

Nevoja për dashuri përfaqëson aspiratën e çdo individi mendërisht të shëndetshëm për të qenë i dashur nga personat që e rrethojnë. Gjithkush do të dëshironte të kishte një jetë afektive dhe relacionale të kënaqshme, do të dëshironte prindër për t'i dashur (dhe jo vetëm për t'i respektuar apo mbajtur), do të dëshironte një burrë apo një grua zgjedhur me dashuri, me të cilët të kalosh pjesën më të madhe të mundshme të kohës (për qejf, jo për detyrë), do të dëshironte të kishte fëmijë të lindur për dashuri (dhe jo për detyrë apo për llogari ekonomike), do të dëshironte të kishte miq me të cilët të flitej për gëzime, për vështirësi dhe për tragjedi të jetës, me të cilët të ballafaqojë diskutime të thella dhe personale (dhe jo miq me të cilët lidhen vetëm interesat ekonomike të përbashkëta: në kulturat primitive është “mik” kush ndihmon në plotësimin e nevojave fiziologjike dhe maksimumi ato të sigurisë, pra edhe marrëdhëniet sociale synojnë mbijetesën biologjike).

Nevoja për vlerësim është drejtuar në thelb në sferën sociale dhe njeriu ka si objektiv që të jetë perceptuar nga komuniteti social si një anëtar i vlefshëm, i besueshëm dhe i denjë për t’u konsideruar. Shpesh vetëvlerësimet apo perceptimet e vlerësimeve ndryshojnë thellësisht në lidhje me realitetin. Shumë njerëz mund të ndjehen të vlefshëm përtej meritave dhe dijeve reale të tyre, ndërsa të tjerë mund të vuajnë nga ndjenja të forta inferioriteti dhe padenjësie edhe pse ambienti social ka një qëndrim përgjithësisht pozitiv kundrejt tyre.

Nevoja për vetërealizim është një aspiratë individuale për të qenë çka dëshirohet me qenë, për t’u bërë çfarë dëshirohet me u bërë, për të shfrytëzuar plotësisht fuqitë tona mendore, intelektuale dhe fizike në mënyrë që të perceptohet se aspiratat tona janë në harmoni dhe në përputhje me mendimet dhe veprimet tona. Jo të gjithë njerëzit arrijnë të përmbushin potencialitetet e tyre dhe në fakt pakënaqësia me punën, sociale apo sentimentale është një fenomen shumë i përhapur. Sipas Maslow, vetërealizimi kërkon tipare të personalitetit – si edhe aftësi sociale, kompetenca kulturore dhe aftësi teknike – shumë specifike dhe të rafinuara, të tilla si realizmi, vetë-pranimi, spontaniteti, autonomia dhe pavarësia, vlerësimi i gjërave dhe i njerëzve, aftësia për të jetuar eksperienca të thella, aftësia për të ruajtur marrëdhënie humane pozitive, aftësia për të mbajtur të ndara mjetet nga qëllimet, sens të ironisë, të krijimtarisë, të origjinalitetit.

Është e vështirë të pohohet se në cilin nivel të piramidës së Maslovit gjenden egzigjencat e popullsisë shqiptare, por duke gjykuar pranimin pasiv të sistemit të “biznes-bereqaves” duket se plotësimi i nevojave primare mban akoma një rol themelor.