18 familje, që banojnë në pallatin e Nish-Cigares, në lagjen nr.7 të Durrësit jetojnë me frikë pas shembjes së një pjese të parapetit të çatisë mesnatën e së dielës.


Situata duket mjaft kritike në ambientet e jashtme të pallatit, ku një ditë më parë janë vënë nga autoritetet shiritët për garantimin e perimetrit të sigurisë. Banorët ndihen të frikësuar se situata mund të përsëritet dhe mund të ketë persona të lënduar.


Në ndërtesën 3 katëshe, që gjatë viteve të regjimit komunist shërbente si magazinë e Nish-Cigares dhe vetëm pas viteve 90 u kthye në godinë banimi plasaritje të shumta kanë marrë edhe tavanët e apartamenteve të katit të fundit.

18 familjet që banojnë aty kanë vetëm një apel, ndërhyrje urgjente nga ana e autoriteteve.

Për situatën është vënë në dijeni edhe kryetari i njësisë administrative nr.2, i cili shqetësimin e banorëve e ka përcjellë pranë institucionit të bashkisë.
M.B.





