Kreu i grupit të këshilltarëve demokratë ka ngritur dyshime se në shpërndarjen e fondeve për kulturën ka konflikt interesi
Kreu i grupit të këshilltarëve të PD-së në Këshillin Bashkiak të Durrësit, Zamir Ramadani, në një prononcim për gazetën “Dyrrah“ do të komentonte qëndrimin e këshilltarëve të djathtë për ndërprerjen e mbledhjes së Këshillit Bashkiak, pas kërkesës së këtij grupi për një relacion më të detajuar në lidhje me punën e Këshillit të Kulturës. Ramadani ka komentuar gjithashtu dhe çështje që kanë të bëjnë me mënyrën se si janë përdorur rreth 40 milionë lekë për kulturën, konflikte të mundshme interesi në shpëndarjen e fondeve apo kërkesën e bërë për mënyrën e funksionimit të parkut industrial.
Z. Ramadani, si shpjegohet fakti që grupi juaj ndërpreu mbledhjen e Këshillit Bashkiak vetëm për një çështje teknike që ka të bëjë me këshillin e ri të kulturës?
Unë mendoj se qëndrimi ynë ishte plotësisht i drejtë dhe i logjikshëm. Nuk mund të konfirmohej këshilli i ri i kulturës nëse nuk bëhej një transparencë e plotë e mënyrës se si ka funksionuar këshilli i mëparshëm. Ishte një kërkesë që ne e kishim bërë që më parë në mbledhjen e grupeve, por ashtu siç ka bërë gjithmonë administrata e Bashkisë në projektvendime, i ka kaluar ato vetëm përciptazi, duke mos bërë një relacion të detajuar të punës së këshillit të kulturës. Nuk është hera e parë që veprojnë kështu. I kemi toleruar shpesh herë, por kësaj radhe nuk mund të toleronim. Mos harrojmë se për kulturën shpenzohen rreth 40 milion lekë dhe natyrisht ne duhet të dimë se si ka funksionuar këshilli i kulturës. Duhet të shohim shumë gjëra më pas që kanë të bëjnë dhe me mënyrën se si bashkia i ka shpërndarë fondet dhe a ka pasur konflikt interesi në shpërndarjen e tyre. Është pikërisht këshilli i kulturës që merret me përcaktimin e fondeve dhe të drejtimeve ku ato do të shkojnë. Duam të dimë se pse disa anëtarë të këshillit të kulturës kanë dhënë dorëheqjen, duam të dimë se a ka pasur raste kur fituesit e tenderave mund të jenë përcaktuar para afatit të përcaktuar me ligj, pse një pjesë e mirë e fondeve shkojnë jashtë qytetit, kur artistët durrsakë kanë probleme ekonomike dhe duhen stimuluar. Duam të dimë a ka pasur një transparencë të detajuar të fondeve dhe mënyrën se si janë përdorur ato. Duam të dimë nëse ka pasur konflikte të pastra interesi në shpëndarjen e fondeve. Të gjitha këto pyetje kanë nevojë për përgjigje që duhet të jepen jo vetëm në Këshillin Bashkiak, por dhe para qytetarëve durrsakë.
A nuk ju duket pak vonë për të folur për këtë, kur fondet janë shpërndarë tashmë?
Nuk është vonë asnjëherë për të bërë transparencë. Mos harrojmë se janë rreth 40 milionë lekë të përdorura për Kulturën, për të cilat ne duhet të dimë se ku kanë shkuar, si kanë shkuar dhe a janë zbatuar kriteret ligjore.
A keni rezerva për emrat e kandidaturave të reja në Këshill?
Jo nuk kemi pasur gjë konkrete me emrat, por thjesht kërkuam një relacion të detajuar për punën e këshillit të mëparshëm të kulturës. Natyrisht që në mbledhjen e ardhshme ne do të kërkojmë të dimë se ku kanë shkuar paratë e taksapaguesve durrsakë dhe natyrisht që do të donim që në këshill të kishte njerëz sa më profesionistë të të gjitha fushave që kanë lidhje me kulturën dhe profesione të tjera që i kontribuojnë një vizioni sa më të mirë dhe konstruktiv të shpëndarjes së fondeve dhe prioriteteve për kulturën.
A ka pasur çështje të tjera për të cilat ju keni kërkuar transparencë?
Po. Kemi kërkuar dhe një relacion në lidhje me funksionimin e ndërmarrjes së Parkut të Udhëtarëve, ku duam të shikojmë mënyrën se si ka funksionuar kjo ndërmarrje, rentabilitetin e saj, mënyrën e përdorimit të fondeve, nëse kjo ndërmarrje duhet privatizuar apo duhet të funksionojë kështu etj.
A e dini se të pastrehët nuk mund të presin konfliktet tuaja politike, por kërkojnë që të shqyrtohet çështja e ndarjes së banesave për të pastrehët?
Unë mendoj se ne kemi qene mbështetësit kryesorë për familjet e pastreha, por mbledhja e kaluar u ndërpre për një çështje shumë të rëndësishme. Natyrisht që në mbledhjen e rradhës do të shqyrtohet dhe çështja e familjeve të pastreha.