Parizienët janë popull i mençur, sepse dinë të protestojnë. Kështu ka thënë i madhi Viktor Hygo i konsideruar dhe si ndërgjegja e popullit francez. Hygoi pa të shemben perandori, të rrëzohen frone, të ndërrohen republika, të ndizen revolucione dhe të shpërthejnë luftra. Protogonist në të gjitha ngjarjet e mëdha të shekullit, Hygoi i vlerësoi parizienët për faktin, se ata jo vetëm ditën të protestojnë, të shembin perandori dhe frone, por dhe se ndërgjegja popullore reagoi në kohën dhe në vendin e duhur. Natyrisht që bëhet fjalë për protesta popullore të lindura në mënyrë natyrale, si rrjedhojë e pjekjes së kushteve historike dhe shoqërore, në momentet, kur ndryshimet janë të domosdoshme dhe intuita e popujve nuk gabon. Në fakt,e gjithë bota moderne proteston, rrugët e Londrës, Parisit, Neë Yorkut, Madridit, Athinës bëhen arenë e protestës qytetare ndaj problemeve ekonomike apo politike të vendit .Sigurisht që dhe ne dimë të protestojmë, por me një ndryshim esencial nga protestat e vendeve të civilizuara në aspektin e organizimit dhe orientimit të tyre.
Me përjashtim të protestave të dhjetorit, ku u realizua ndryshimi i vonuar i sistemit, të gjitha protestat në Shqipëri, të të gjitha formave dhe mënyrave, kanë pasur prapa tyre telekomandën e partive kryesore të politikës, të cilat e kanë shtypur butonin e ndezjes dhe fikjes, kur dhe si kanë dashur. Në fakt në këtë moment ndonjë sindikalist i regjur do të më thoshte se në Shqipëri funksionojnë dhe sindikata apo shoqata, të cilat janë organizatoret e këtyre protestave. Në fakt kësaj pyetjeje nuk do t`i jepja përgjigje personalisht, por do t`i lutesha një qytetari normal të vendit tim që t`i thoshte: – Zotëri kujt ja shet këto pallavra?! -Ju jeni të gjithë të shitur dhe dihet fare mirë që i përkisni ose të majtës ose të djathtës. Pasi privatizuat çfarë deshët me bekimin e politikës, tashmë nuk jeni gjë tjetër veçse marioneta, të cilat lëvizin me telekomandë, duke vënë më pas në lëvizje të gjithë masën e njerëzve. E njëjta gjë ndodh dhe me një pjesë të mirë të shoqërisë civile, që zyrat i kanë në selitë e partive dhe ushqimin e marrin nga bakshishet e politikës. Është pak cinike kjo që po them, por është plotësisht e vërtetë dhe e padiskutueshme. Nëse nuk do të ishte kështu politika do ta kishte të vështirë që të telekomandonte turmat e njerëzve në mitingje jo natyrale, të politizuara dhe pa forcën e vërtetë dhe reale të reagimit popullor. Ka dy momente në të cilat do të doja të bëja përjashtime, protestat e dhjetorit 1990 dhe ato të vitit 1997( ndonëse dhe këtu me rezerva).
Pjesa tjetër me ndonjë përjashtim janë vetëm lëvizje me telekomandë nga politka. Për të qenë më konkret do t‘i referohem protestave të viteve të fundit majtas apo djathtas duke përdorur shembuj konkretë. Të gjithë i kujtojmë protestat më të fundit të popullit opozitar, ku për pak nuk u dogj kryeministria dhe për fat të keq humbën dhe jetë njerëzish. Nuk ka shqiptar në trojet tona dhe diasporë që nuk e di, që telekomandën e kësaj proteste e kishte në dorë Edi Rama. Le të kthehemi në krahun tjetër, në protestat e opozitës së kohës së Berishës, kur turma arriti deri në ndërtesën e televizíonit shqiptar. Askush nuk mund të mos thotë se telekomandën e protestave e kishte në dorë vetë Berisha.Të gjithë kujtojmë se si PD-ja në opozitë kundërshtoi impiantet e plehrave në Shqipëri dhe e ngriti popullin në protesta dhe tashmë miraton një ligj, që legalizon gjithshka. Nëse dikush do të ma kundërshtonte tezën time dhe me shembullin më të vogël kokëfortë, atëhere do të tërhiqesha pa hezitim. Natyrisht që ka pasur dhe reagime pozitive nga shoqata të caktuara të nivelit mediokër, por dhe në këto raste reagimi ka qenë pa forcën dhe këmbënguljen e duhur (ndoshta përjashtoj këtu pjesërisht grevën e fundit të minatorëve të Bulqizës). Gjithkush në këtë vend e di mirë, që ka pasur momente të rëndësishme në jetën e këtij vendi ku reagimi popullor mund të kishte qenë më i fuqishëm dhe me karakter social e politik. Kujtojmë këtu ngjarje të tilla si ajo e Gërdecit apo pse jo dhe rasti i fundit përsa i përket ligjit të mbetjeve urbane. Me përjashtim të opozitës dhe zërave pa peshë në shoqërinë civile, reagim tjetër nuk ka pasur. Imagjino i nderuar lexues se çdo të kishte ndodhur në një vend tjetër, ku vetëm për një shtim prej 0,5 % të një takse, populli i tregonte qeverisë dhëmbët në sheshe.
Këtu te ne mungon forca e reagimit për faktin e thjeshtë, se nuk funksionojnë sindikatat, se shoqëria civile nuk ka reputacionin e duhur, se qytetarët janë aq të politizuar sa nuk e kuptojnë, se ka gjëra që janë mbi interesat e ngushta të preferencave politike. Imagjinoni se çfarë reagimi pati me ndarjen e ujërave tona territoriale, në një kohë, që nëse kjo gjë do t`i ndodhte Greqisë, populli do të kishte bërë të paimagjinueshmen. Virusi i politikës e ka infektuar aq keq shoqërinë shqiptare, sa reagimi i saj tashmë varet vetëm nga një telekomandë në dorën e të fortëve të politikës, të cilët dinë të kërkojnë masat, në momentin dhe kohën e duhur. Ndoshta jam pak cinik, por një shprehje e popullit tim thotë se “nëse nuk e prek plagën, e ke të vështirë që ta kurosh më pas“. Nëse gjithçka do të vazhdojë me telekomandë, nuk është çudi, që një ditë të kthehemi në robotë të politikës, që luan përjetësisht më të ardhmen e këtij vendi. Ndonjëherë bëj pyetjen retorike; -Mos ndoshta politikës shqiptare i intereson konflikti për të qenë e përjetshme? Ndoshta po, ndoshta jo. Kjo tezë ka nevojë për një analizë më të thellë, por të mos largohemi nga tema, te protesta. Nëse na degjon ne shqiptarët në kafene, dimë të bëjmë aq mirë politikë dhe të jemi aq shumë protestues sa dhe të huajt do të cuditeshin. Por pasi dalim nga kafeneja ku kemi shpenzuar orë të tëra e kemi shumë të vështirë që t‘i bashkohemi një zëri të lirë që na fton të protestojmë për të drejtat tona më minimale, na duket pa kuptim. Jemi indiferentë dhe skeptikë.
Nuk dua të hyj deri në përkufizimet e Konicës për Shqipërinë e kafeneve, por do të thoja se në tavolinë jemi shumë të fortë. Na pëlqen më mirë të kacafytemi në kafenetë plot tym se sa të dalim në rrugë dhe ti tregojmë vendin politikës. Po pastaj, vjen telekomanda. Sheshet mbushen. Premtimet ushtojnë. Gjakrat nxehen dhe armët drejtohen në kahet -shqiptarët kundër shqiptarëve. Jo si ndodh në çdo protestë normale në perëndim, ku qytetarët janë kundër asaj pjese të politikës dhe qeverisjes, që ju shkel të drejtat. Sigurisht që një pjesë e mirë e shqiptarëve nuk aktivizohen me telekomandën e politikës shqiptare, por dhe ajo pjesë ka mbetur viktimë e protestës së kafeneve, ku çdo gjë humbet në tymin e duhanit dhe erën e keqe të thashethemeve. Me telekomandë apo me protesta kafenesh, të gjithë jemi të humbur. Ka ardhur momenti, që instiktin tonë të trashëguar të varësisë nga politika, ta zëvendësojmë me instiktin qytetar të protestës qytetare. Thjesht ka ardhur koha të thyejmë telekomandat ose t‘ua marrim ato politikës, për ta komanduar ne atë, kur shkelen të drejtat tona qytetare. Ka ardhur koha të braktisim kafenetë dhe të zbresim në sheshe, kur na cënohet e drejta më minimale qytetare. Ka ardhur koha të jemi krenarë me veten tonë, ashtu si Hygoi i madh ishte me popullin e Parisit, sepse dinte të protestonte për të drejtat e tij qytetare.