Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit, FIA, ka bërë të qartë se nuk ekziston asnjë çështje e hapur në lidhje me parakalimin e Sebastian Vettel ndaj Jean Eric Vergne në Çmimin e Madh të Brazilit. Sipas konfirmimit që ka ardhur nëpërmjet Autosport.com, nuk ka dyshime që parakalimi i Vettel ishte i rregullt. Ferrari kishte deklaruar se po shihte edhe një herë videot e garës për të parë nëse Vettel kishte bërë një parakalim të gabuar ndaj Vergne nën regjimin e flamujve të verdhë mes kthesave 3 dhe 4 në momentet e para të garës. Sot, skuadra italiane deklaroi se do i kërkonte zyrtarisht FIA-s të qartësojë situatën e krijuar. Por burime pranë FIA-s kanë sqaruar se ndonëse ajo zonë kishte sinjalizimet e verdha, kishte edhe një kullë të komisarëve të pistës, ku në ato momente po valëvitej flamuri i gjelbër. Sipas rregullores së garës në këtë Çmim të Madh, nëse flamuri i gjelbër valëvitet edhe gjatë periudhës kur sinjalizohet me semaforë të verdhë, flamuri i gjelbër ka përparësi, ndaj parakalimi i Vettel quhet i rregullt. Për më tepër, FIA ka bërë të qartë se pavarësisht fjalëve, asnjë skuadër nuk ka bërë ankimim për garën në fjalë, duke mbyllur përfundimisht këtë debat dhe duke zyrtarizuar titullin kampion për pilotin gjerman të Red Bull.
FIA: Kampioni është Vettel
Na bëni like ne facebook:
Na ndiqni ne rrjetet tona sociale:
Të ngjashme
Të fundit