Dy persona janë arrestuar nga autoritetet në Vlorë, njëri prej tyre punonjës i Policisë Ushtarake në këtë qytet.
Si rezultat i një hetimi me metoda speciale, u finalizua me sukses Operacioni Policor i koduar ''REKRUTIMI'', ku janë kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasit Deraldo Kamberi 23 vjeç banues në Vlorë, me detyrë punonjës i Policisë Ushtarake në Vlorë dhe Erlind Varfi, 23 vjeç.
Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri – tjetrin i kanë marrë një personi, një shumë vlerash monetare prej 2000 Euro me premtimin se do ta ndihmonin të punësohej në Strukturën e Forcave të Armatosura.
Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumën e vlerave monetare prej 2000 Eurosh.
Ata do të duhet tashmë të përballen me akuzën e “korrupsionit pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike, kryer në bashkëpunim”.





