Një nga emrat më të lakuar të krimit shqiptar në Itali, Emanuel Demaj, vëllai i tij Erjoni dhe shqiptari tjetër Armand Mandreja janë shpallur të pafajshëm për grabitjen e vile në Itali katër vite më parë.

Gjykata e Forlit ka shfajësuar sot vëllezërit Demaj, Erjon e Emanuel (të burgosur për krime të tjera) të mbrojtur nga avokatja Stella Pancari dhe Mandrejan, i mbrojtur nga avokati Alessandro Sintucci.

Gjykata italiane i ka shpallur të tre të pafajshëm për akuzat e “rrëmbimit të personit” dhe sulmit të armatosur me armë zjarri ndaj dy kushërinjve në një vilë në Castrocaro Terme (Forlì-Cesena) natën mes 31 majit dhe 1 qershorit 2013, duke grabitur bizhuteri vlera e të cilave u llogarit 30.000 euro, raporton Ansa.

Prokuroria kërkoi në gjykatë për tre të pandehurit dënime me 6 vite e 10 muaj burg për secilin. Por gjykata vendosi t’i shpallë të pafajshëm.

    "Jam shumë e lumtur, pas një apeli të vështirë", ka deklaruar avokatja Pancari, e cila mbron tezën se nuk kishte prova që dy vëllezërit Demaj dhe shqiptari tjetër kishin lidhje me vjedhjen për të cilën akuzoheshin.

Si sfidoi nga burgu Emanuel Demaj drejtësinë italiane?!

Në maj të vitit 2016, Emanuel Demaj, i cilësuar nga mediat lokale “bos i rrezikshëm i krimit shqiptar”, postoi një foto në Facebook, duke festuar ditëlindjen me një gosti nga qelia e burgut Montorio në Verona, ku vuante dënimin. Ndodhi kjo që pasoi me një hetim nga prokuroria italiane dhe që shkaktoi një “tërmet” në burgun e Veronës.

Fotografia e tij e postuar në rrjetin social dhe buzëqeshja e Demajt u konsiderua një sfidë drejtuar drejtësisë italiane. Dukej sikur edhe në burg, Demaj vazhdonte të jetonte në të njëjtën formë siç bënte kur ndodhej në liri.