Ndonëse ai u akuzua si pjesë e bandës “Habilaj” Fatmir Minajn është liruar nga Gjykata e Katanias. Mësohet se Gjykata ka vendosur sot të anulojë urdhërarrestin për Minajn.
Lajmi është konfirmuar nga gazetari Dario De Luca pas komunikimeve që ai ka pasur me avokatin Maurizio Catalano (avokat i 3 shqiptarëve të arrestuar). Sakaq, motivi i lirimit të Fatmir Minaj do të zbardhet pas 45 ditësh. 55-vjeçari u akuzua nga prokuroria italiane si bashkëpunëtor i Moisi Habilajt, ku ky i fundit cilësohet nga autoritetet fqinje si kreu i grupit të trafikut të drogës.
Ndërkohë sot Gjykata e Rivlerësimit e Katanias vendosi të njëjten masë sigurie, duke lënë në burg Moisi Habilajn dhe bashkëpunëtorët e tij. Vendimi u depozitua sot në mesditë në sekretarinë e Gjykatës së Katanias nga gjyqtarët; Iarato, Benanti si dhe Catena. Organi i akuzës së Katanias ka parashtruar në seancën e sotme gjyqësore prova që kanë qenë bindëse për gjykatën, e cila ka dhënë masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për shqiptarët.
Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tij shqiptarë u arrestuan pas disa kohësh hetime si dhe përgjime, ndërsa u kapën teksa trafikonin 3.5 ton hashash. Në përgjimet e grupit “Habilaj” përmendej edhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili sipas tyre ishte favorizuesi i trafikut të drogës Shqipëri-Itali. /BW





