Porti i Durrësit ka shënuar rritje të lëvizjes së pasagjerëve dhe volumit të përpunimit të mallrave për periudhën 9-mujore nga janari deri në shtator të këtij viti. Sipas shifrave zyrtare të publikuara nga sektori i statistikave në Autoritetin Portual Durrës bëhet e ditur se për këtë periudhë me tragete kanë udhëtuar 743 385 shtetas shqiptarë dhe të huaj, shifër kjo që shkon në 8% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Rritje ka shënuar edhe përpunimi i mallrave në port, rreth 2.7 milion ton mallra me afro 6% më shumë rritje se viti i kaluar. Drejtori i sapo emëruar i Autoritetit Portual, Artjan Qirici shprehet se arsyeja e rritjes së volumit të mallrave lidhet së pari me përmirësimin e mjeteve transportuese nga ana e kompanive private si dhe heqja e tarifës së ngarkesës nga portet italiane për kamionët shqiptarë, pas marrëveshjes mes dy qeverive respektive.

Kreu i Autoritetit Portual shprehet; 'Ne shohim një perspektivë pozitive edhe për vitet e ardhshme, ndërsa në lidhje me masat që Autoriteti Portual do të marrë për të lehtësuar kompanitë që përdorin territorin e portit për transport ose ato të tranzitit, bëhen të ditura masa konkrete."

Drejtori Qirici bën me dije se sapo kanë filluar hartimin e plan-biznesit për vitin 2018 dhe do të ndërhyjnë në territorin e portit për krijimin e koridoreve të dedikuara për lëvizjen e kamionëve dhe autoveturave. Gjithashtu, Autoriteti Portual ka edhe një plan për lidhjen e portit të Durrësit me zonën logjistike industriale të Shkozetit, në mënyrë që porti të funksionojë më mirë edhe me subjektet që operojnë jashtë territorit të tij.

Porti i Durrësit, si porti më i madh në vendin tonë, realizon volumin më të madh të përpunimit të mallrave si dhe hyrje-daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj.

K.H.