Mëngjesin e së martës, Gjykata e Rivlerësimit e Katanias mori në shqyrtim ankimimet e bëra nga 6 prej 7 të arrestuarve të të ashtuquajturit “Grupi Habilaj”, mbi të cilët rëndon akuza e trafikut ndërkombëtar të drogës. Ata u arrestuan në aksionin e quajtur “Venti Dei Rosi”.

Me pranga në duar dhe nën masa të rrepta sigurie Moisi Habilaj, i dyshuari si kreu i grupit të trafikut ndërkombëtar është paraqitur përpara tre gjyqtarëve Iarato, Benanti dhe Catena.

I vetmi nga të arrestuarit që nuk ka kërkuar rishikimin e arrestimit ishte italiani Antonino Riela, i cili sipas dosjes së hetimit rezulton të jetë një nga kontaktet më të besuara në Katania të Moisi Habilajt.

Moisi Habilaj është paraqitur i fundit perpara gjyqtarëve. Por siç konfirmoi dhe avokati i tij Biagio Maurizio Catalano, Habilaj i ka mohuar akuzat dhe lidhjen me ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri, duke kërkuar lirimin.