Rregulli numër një: mos u bëni mjeku i vetes tuaj! Telefononi emergjencën nëse keni dyshimin më të vogël për një atak në zemër. Meqenëse shumica e vdekjeve nga atakët në zemër ndodhin një orë pas sulmit, nuk duhet të prisni disa orë para se të kërkoni ndihmë, sepse mund të jetë shumë vonë!
Nëse keni ndonjë nga simptomat e mëposhtme thirrni menjëherë urgjencën.
Shqetësime në gjoks: Shumica e sulmeve në zemër përfshijnë siklet në qendër të gjoksit që zgjat më shumë se disa minuta, ose që ikën dhe pastaj kthehet. Mund të keni ndjesi presioni, shtrydhjeje dhe dhimbje.
Shqetësime në pjesën e sipërme të trupit: Dhimbja në një ose në të dy krahët, shpinë, qafë, nofull ose stomak mund të sinjalizojë një problem.
Shenja të tjera: Kushtojini vëmendje simptomave të trupit që nuk janë të zakonshme për ju, siç janë djersët e ftohta, të vjella, ethe, lodhje dërrmuese ose ndjenjë konstante ankthi. (Këto shenja janë veçanërisht të zakonshme tek femrat).
Në një atak në zemër, furnizimi i gjakut te muskujt e zemrës ndërpritet dhe qelizat e muskujve të zemrës fillojnë të vdesin, gjë që mund të shkaktojë dhimbje në gjoks, por ndonjëherë nuk ka, veçanërisht në gratë. Shumica e sulmeve të zemrës zhvillohen ngadalë, me dhimbje më të butë ose shqetësime.
Ka disa raste që mund të përjetoni një atak në zemër dhe as të mos e kuptoni këtë gjë. Kjo mund të ndodhë me këdo, njerëzit që vuajnë nga diabeti kanë më shumë gjasa të përjetojnë atë që quhet “sulm i heshtur në zemër”.
Një atak në zemër mund të godasë në çdo kohë, por ndodh më shpesh në orët e hershme të mëngjesit. Sulmet në zemër janë 40 përqind më të zakonshme mes orës 6 të mëngjesit dhe mesditës sesa në momente të tjera gjatë ditës. Vdekjet nga sulmet në zemër janë 29 përqind më të zakonshme gjatë mëngjeseve.
Telefononi menjëherë për një ambulancë dhe qëndroni të qetë. Pastaj uluni ose shtrihuni dhe ngadalë përtypni një tabletë prej 300 mg aspirinë. Aspirina ndihmon në minimizimin e dëmtimit të zemrës ose zhvillimin e një koagulimi të gjakut të rrezikshëm duke ulur “ngjitjen” e trombociteve që luajnë një rol të rëndësishëm në mpiksjen e gjakut.
Gjithashtu, sigurohuni që dera juaj të jetë e hapur, kështu që personat e ndihmës së shpejtë mund të hyjnë në shtëpi. Mos hani dhe mos pini asgjë, telefononi një të afërm, fqinj ose mik që të vijë t’ju bëjë shoqëri.