Në mbledhjen e zhvilluar brenda klubit të Teutës, mes drejtuesve, stafit teknik dhe lojtarëve, pas analizës për këtë periudhë jo të mirë që ka kaluar ekipi, janë marrë edhe disa vendime të rëndësishme për vazhdimësinë e sezonit.
Ka qenë vetë presidenti Hasanbelliu që ka zhvilluar analizën me tone tepër kritike për situatën e fundit që po kalon Teuta.
Hasanbelliu ka deklaruar se është e patolerueshme ajo që po ndodh pasi realisht ekipi nuk është në këto nivele që po paraqitet dhe për këtë kanë faj të gjithë por ai e ka vënë gishtin tek disa lojtarë që duhet të ishin me peshë në ekip por në fakt kanë ndikuar negativisht.
Pas deklaratës se do të jepte dorëheqjen, trajneri Magani është konfirmuar në krye të durrsakëve, nga vetë presidenti Hasanbelliu. Masa drastike është marrë për Albi Dostin, i cili është përjashtuar nga ekipi.
Ndërsa, Ardit Hila është ndëshkuar me gjobë nga klubi. Paralajmërim ka marrë edhe boshnjaku Anel Dediç, për formën jo të mirë që ka treguar.





