Bashkimi Europian ka mbështetur Madridin në menaxhimin e krizës, që sidoqoftë për kryeministrin spanjoll Mariano Rajoy është çështje e brendshme.
“Për BE-në nuk ndryshon asgjë. Spanja mbetet interlokutorja jonë e vetme. Shpresoj që qeveria të favorizojë forcën e argumentit dhe jo argumentin e forcës”, shkroi në “Twitter” presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, të cilit iu përgjigj thuajse menjëherë udhëheqësi katalanas, Carles Puigdemont, po nëpërmjet “Twitter”-it.
“Katalanasit gjithnjë mbështesin forcën e argumenteve”.
Edhe zëri i Shteteve të Bashkuara nuk mund të mungonte në këto momente krize. Departamenti amerikan i Shtetit shprehu mbështetjen për qeverinë e Madridit.
“Katalonja është një pjesë integrale e Spanjës dhe Shtetet e Bashkuara mbështesin masat kushtetuese të qeverisë spanjolle për ta mbajtur vendin të fortë dhe të bashkuar”, thuhej në deklaratë.
E kjo përforcon presidentin Donald Trump, i cili në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin spanjoll Rajoy, në shtator, tha se do të ishte diçka e pakuptimtë që Katalonja të ndahej.
“Unë mendoj se Spanja është një vend i madh dhe duhet të mbetet i bashkuar”, tha Trump.
Britania e Madhe ishte ndër vendet e para që deklaroi mbështetjen për qeverinë e Madridit dhe mosnjohjen e Katalonjës, kjo sigurisht frymëzuar edhe nga problemi i ngjashëm i saj me Skocinë, e po ashtu edhe Gjermania e Franca shprehën mbështetjen për unitetin e Spanjës.
Ndërkohë, edhe Barcelona e Madridi reflektuan pozicionet respektive ndaj zhvillimeve të vrullshme të ditës. Turma të mbështetësve të pavarësisë festuan në rrugët e Barcelonës, ndërsa Parlamenti rajonal shpallte Pavarësinë nga Spanja.
“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme, pasi pas shumë vitesh përpjekjeje arritëm atë që donim, një shtet të pavarur katalanas. Kemi derdhur shumë mund dhe sot jemi shumë të gëzuar. Një jetë e re fillon për popullin katalanas”, tha një banor vendas.
“Një ndjesi e jashtëzakonshme për mua, kjo do të thotë liri. Liri për të gjithë popullin në Katalonjë, liri që e kemi pritur prej shumë vitesh. Një emocion i madh”, tha një banore.
Në anën tjetër, në Madrid, banorët reaguan me zemërim. Sipas tyre, gjithçka është në shkelje të ligjit, udhëheqësit katalanas kanë treguar papërgjegjshmëri dhe nuk e dinë se çfarë po bëjnë.