Një 29-vjeçar, i cili vrau me thikë një vajzë shqiptare në Queen’s Park të Londrës, është dënuar me burgim të përjetshëm.

Noor Mohammad, 29-vjeç e vrau Romina Kalacin në shtëpinë e saj në Fernhead Road, më 22 Maj të këtij viti. Ajo u gjet një javë më vonë, pasi policia u detyruar ta hapte me forcë derën e saj të shtëpisë.

Ai u dënua me burgim të përjetshëm me minimumi 24 vjet nga Blackfriars Crown Court të enjten, një ditë pasi u shpall fajtor.

32-vjeçarja Kalaci ishte me dy nënshtetësi, italiane dhe shqiptare dhe jetonte në Britani që prej 2016 -ës. Ajo e reklamonte shërbimin e saj si eskortë në një website dhe kjo kishte qenë edhe mënyrë sesi kishte kontaktuar me Mohammad.

29-vjeçari, kishte shkuar në apartamentin e Kalacit i armatosur me një thikë kuzhine. Ai e kishte goditur të renë shumë herë në kokë e trup, në atë që gjykatësi John Hillen e konsideroi një sulm “kafshëror”.

Pas krimit të tmerrshëm, ai u përpoq të fshihte telefonin dhe rrobat e tij dhe të pretendonte pafajësinë derisa nisi gjyqi.

Mohammad, nga Bengali, kishte qëndruar në vend në mënyrë të jashtëligjshme pasi afati i vizës së tij studentore kishte skaduar. Ai do të deportohet në vendin e tij nëse lirohet në 2041.