Ndërsa rikthehet ora diellore dhe akrepat do të lëvizin 60 minuta prapa, një grup prej 70 deputetësh të Parlamentit Europian është zotuar se do të heqin direktivën e ndryshimit të orës që ndodh dy herë në vit.
Eurodeputeti i djathtë çek Pavel Svoboda shprehet se hulumtimet shkencore kanë treguar se 20% e popullsisë vuajnë nga probleme shëndetësore për shkak të ndryshimit të orës. Ndërkohë në shumë shtete të botës përllogariten kilovatët e energjisë së kursyer, që prej 26 marsit 2011 kur hyri në funksionim ajo që njihet si “ora e ligjshme”. Llogaritja dimërore e kohës zgjat deri në fundjavën e fundit në mars kur fillon llogaritja verore e kohës.
Ndryshimi i orës më parë në Evropë ka qenë jo i njëtrajtshëm, por ajo filloi të shtrihet gjerësisht nga viti 1974, pas krizës së parë të naftës kur disa vende vendosën të çojnë përpara orën në mënyrë që të shfrytëzonin më shumë dritën e diellit dhe të konsumonin më pak energji elektrike. Si ligj evropian, ndryshimi i orës në këtë rajon u vendos në vitin 1981 dhe është rinovuar çdo katër vjet.
Norma evropiane vendosi në mënyrë të qëndrueshme datat e fillimit të periudhës së orës së verës (kur ora shkon një orë përpara) dhe përfundimin e saj (kur ora shkon një orë pas); që tani respektivisht janë e diela e fundit e marsit dhe e diela e fundit e tetorit.
Kjo sepse, në muajt prill dhe tetor, dita zgjat më shumë dhe kështu kursehet më shumë energji elektrike. /Klan Plus/