Gjatë 9 muajve të parë të këtij viti, porti i Durrësit ka shkëmbyer mallra me anije me 63 porte të ndryshme, nga vendet e Mesdheut deri në SHBA, Kinë apo Brazil.
Italia dhe Rusia zenë dy vendet e para përkatësisht me nga 21 për qind të volumit të përgjithshëm të mallrave të transportuara me anije nëpërmjet portit të Durrësit në periudhën janar-shtator 2017. Anijet kanë ndaluar në 12 porte të Italisë dhe në 16 porte të Turqisë, vendet me numrin më të madh të porteve ku shkëmbehen mallra me Durrësin.
Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave, mësohet se anijet që janë nisur nga Durrësi apo që kanë mbërritur në portin më të madh të vendit kanë shkarkuar/ngarkuar mallra të ndryshme në/për portet e 20 vendeve të botës.
Pas Italisë dhe Rusisë që renditen në dy vendet e para me nga 21 për qind secila, në vendin e tretë është Turqia me 14 për qind të shkëmbimeve të mallrave me anije.
Në pjesën e mbetur prej 44 për qind të mallrave të transportuara me anije bëjnë pjesë Malta me 7 %, Greqia me 6 %, Kina dhe Egjypti me nga 5 % secila, e më pas Spanja, Gjermania, SHBA, Turkmenistan, etj.
Gjatë këtij 9-mujori anijet kanë transportuar nëpërmjet Durrësit më shumë se 2.1 milionë tonë mallra gjithsej.