Policia e Kavajës ka arrestuar 3 persona pasi njëri prej tyre akuzohet si autor i një aksidenti me vdekje dhe dy të tjerë si bashkëpunëtorë për fshehjen e provave.

Autori pasi ka perplasur një të ri, në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë fshehën provat dhe prishën vendngjarjen duke zëvendësuar mjetin e aksidentit me një mjet tjetër.

Shërbimet e policisë Kavajë, pranë D.V.P. Tiranë, arrestuan shtetasit :

– Gentush Hoxha, 27 vjeç, banues në fshatin Kazie, Kavajë.

– Ervis Çurrumi, 34 vjeç, banues në fshatin Luz i Vogël, Kavajë.

– Gëzim Cila, 48 vjeç, banues në fshatin Hajdaraj, Kavajë.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë, pasi shtetasi Gentush Hoxha, duke drejtuar mjetin kamion tip “Mercedez Benz” (në pronësi të një firme), në mbikalimin e vorrezave në autostradë është përplasur me mjetin motoçikletë tip “Yamaha”, me drejtues shtetasin Z.G., 28 vjeç, i cili si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë.

Më pas shtetasi Gentush Hoxha, në bashkëpunim me shtetasit Ervis Çurrumi dhe Gëzim Cila, kanë hequr nga vendi i ngjarjes mjetin kamion me të cilin u shkaktua aksidenti dhe kanë sjell një tjetër mjet kamion tip “Benz”, duke prishur dhe fshehur provat në vendngjarje.

Materialet ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësorë Kavajë në ngarkim të shtetasit G.H., për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Pengime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, parashikuar nga nenet 291 dhe 301 të Kodit Penal, ndërsa për shtetasit E.Ç., dhe G.C., për veprën penale “Pengime që zbulojnë zbulimin e të vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal.