Zjarret masive në qendër dhe veri të Portugalisë që nisën në fundjavë i kanë kushtuar jetën të paktën 31 personave.
Dhjetëra nga 145 zjarret që janë ende ndezur konsiderohen serioze. Sipas autoriteteve lokale, zjarret në veri erdhën nga kufiri me Spanjën, nga krahina e Galicias ku kanë humbur jetën tre persona.
Mijëra zjarrfikës dhe mjete në të dyja anët e kufirit janë angazhuar në betejën me vatrat e zjarrit që pasuan verën e nxehtë dhe të thatë.
Dëmet materiale janë të konsiderueshme në të dyja vendet, ku zjarret kanë djegur shumë banesa dhe ndërtesa të tjera që ishin në rrugën e tyre. Kushtet në terren janë përkeqësuar nga uragani “Ofelia”, ndërsa ai i afrohet brigjeve perëndimore të Europës duke sjellë erëra të forta që nxisin përhapjen e flakëve.
Në Portugali, situata është mjaft serioze, ku rreth 50 persona kanë mbetur të plagosur, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë. Në Spanjë gjendja është më e përballueshme, por sidoqoftë kryeministri spanjoll Mariano Rahoy udhëtoi vetë drejt krahinës së Galicias, ku autoritetet thonë se zjarret janë vënë me dashje. Policia lokale i ka cilësuar zjarret në Spanjë si akt terrorist dhe kryeministri Rahoi u zotua se përgjegjësit do të dalin para drejtësisë.