Prej disa ditësh emri i tij po lakohet gjithnjë e më shumë nëpër media për shkak edhe të ngjarjeve në të cilat është përfshirë.

Ditën e sotme raportohet se deputeti i Kuvendit është arrestuar pasi dyshohet se ai mashtronte me viza punë në shtetin Gjerman në këmbim të 3500 eurove.

Bëhet fjalë për deputetin e Nismës, Milaim Zeka në Kosovë. Arrestimi i tij ka ndodhur për dyshimet se Zeka ka qenë i përfshirë në një skemë mashtrimi me viza pune në Gjermani për 920 kosovarë.

Arrestimi i ish-gazetarit është bërë nga Njësiti i krimeve ekonomike i Policisë së Kosovës, të hënën, gjatë mesditës.

Arrestimi i Zekës ka ndodhur pak ditë pasi portali ‘Insajderi’ ka publikuar hulumtimin për këtë skandal me viza, në të cilin dyshohet se Zeka ka qenë i implikuar, duke krijuar një biznes të tillë bashkë me partnerin e tij biznesmen, Ilir Krasniqi.

Policia e Kosovës ende zyrtarisht nuk e ka konfirmuar arrestimin, për të cilin ka raportuar Gazeta Express para pak minutave.

920 kosovarë kanë provuar të emigrojnë në Gjermani me viza pune nëpërmjet një agjencie punësimi, e cila në fakt ishte një skemë mashtrimi e deputetit Milaim Zeka dhe partnerit të tij, Ilir Krasniqi, ka raportuar Insajderi, më 3 tetor të këtij viti.

Sipas hulumtimit të kësaj gazete, aplikantët kanë paguar nga 50 euro deri në 3500 euro për një vizë pune. Por, në vend të punësimit dyshohet se aplikantët janë gjendur brenda një skeme mashtrimi, të cilën Prokuroria ka nisur hetimet për krim të organizuar, mashtrim dhe shmangie nga tatimi./Express/