Nesër i jepet lamtumira e fundit vogëlushes 9-vjeçare Kejsi Prizrendi, e cila u nda nga jeta pak ditë më parë. Kejsi mbylli sytë në spitalin italian të Padovës, ku qëndronte e shtruar prej gati një muaji dhe mjekohej për sindromën e rëndë “Stevens and Johnson”.

Arkivoli me trupin e vogëlushes që mësuesit e thërrisnin “Rrufeja” për shkak të gjallërisë dhe shkathtësisë që e karakterizonte mbërrin sot në Durrës, ndërkohë që nesër në orën 11.00 zhvillohet ceremonia mortore.

Për Kejsin u iniciua një fushatë sensibilizuese për mbledhjen e ndihmave financiare që do të shkonin për të përballuar kurimin e shtrenjtë të vajzës së vogël.

I madh e i vogël në Durrës, duke filluar nga fëmijët e kopshteve e nxënësit e shkollave, prindërit, stafet pedagogjike, institucione të ndryshme në Durrës, qytetarë, emigrantë e biznesmenë, të gjithë së bashku derdhën kontributet modeste për Kejsin 9-vjeçare.

Por në fund, ëngjëlli i vogël nuk mundi t’i bënte dot ballë sëmundjes duke mbyllur sytë e pikëlluar zemrat e të gjithëve që ishin lutur për shërimin e saj.