Në Gjykatën për Krimet e Rënda është zhvilluar sot seanca e radhës ndaj të pandehurit Emiljano Shullazi. Ashtu siç ishte parashikuar, para trupit gjykues kanë dhënë dëshminë e tyre ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, Drejtori i Policisë Haki Çako, Dhori Kule, Mynyr Koni, Klodeta Dibra, Shezai Rrokaj dhe Majlinda Keta.
Në dëshminë që zgjati rreth 15 minuta, ish-ministri Tahiri mësohet se të ketë thënë se është vënë në dijeni për kërcënimin e dy profesorëve Kule e Koni nga postimi publik i ish- kryeministrit Sali Berisha, në prill të 2016-s.
Tahiri mësohet se ka shprehur habi dhe ka përmendur disa herë ish-Kryeministrin Berisha, se përse ai nuk ishte në proces për të dëshmuar sesi e mori vesh këtë informacion. Madje kjo është bërë shkak edhe për replika mes Tahirit dhe trupit gjykues.
Pas dëshmive, avokatët e të pandehurit Shullazi i kërkuan gjykatës që të thërritet si dëshmitar ish-Kryeministri Berisha, kërkesë kjo e cila u pranua nga trupi gjykues.
Ndërsa kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako tha se pasi është vënë në dijeni ka kontaktuar me profesorët dhe ata i kanë konfirmuar për kërcënimin e ardhur nga të pandehurit.





