Në një takim me strukturat e partisë në qytetin e Durrësit, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka komentuar zëvendësministrat e rinj, emrat e të cilëve janë publikuar dje në Asamblenë Kombëtare të PS-së. 33 zv.ministra janë përfaqësues të oligarkëve, ndaj Kryemadhi u shpreh se partia që ajo drejton, synon të sjellë risi e ti japë fund traditës së përfaqësimeve të tilla.
“33 zv.ministra në qeveri? Rama vërtetoi shprehjen qeveri e vogël, korrupsion i madh. 33 zv.ministrat nuk janë socialistë, por përfaqësues të oligarkëve për të mbrojtur interesat e tyre. Edukata politike në këto 27 vjet e bazuar te konflikti dhe mohimi dhe kundërshtimi i gjithçkaje. Ne duam të sjellim risi dhe t’i japim fund kësaj tradite. Opozita jonë e bazuar te alternativat. Ne nuk duam të përfaqësojmë grupe interesi të mafiozëve dhe oligarkëve, por grupe interesi që lidhen vetëm me interesat e drejtpërdrejta të qytetarëve. Edi Rama sulmon njerëzit e thjeshte, sepse i urren dhe ka neveri për ta”, deklaroi Kryemadhi.





