Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, që po zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, gjithmonë e ka pasur përkrahjen e Shteteve të Bashkuara dhe ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tej, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç.
“SHBA-të gjithmonë e kanë përkrahur dialogun, i cili po ndërmjetësohet nga BE-ja dhe bashkërisht do të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë në Ballkanin Perëndimor”, tha Kocijançiç, për agjencinë “Beta”, duke komentuar deklaratat e zyrtarëve shtetëror të Kosovës dhe mediave për përfshirjen e SHBA-ve në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.