Në një njoftim të detajuar, Policia e Durrësit shpjegon se i arrestuari dy netë më parë në qytetin e Durrësit, Genti Nderjaku kishte leje arme vetëm për brenda banesës dhe jo jashtë saj.

Madje, si për ta theksuar edhe më shumë këtë fakt, në njoftimin e saj, policia e ka shkruar me shkronja kapitale. Pra mesa duket i vetmi gabim që bëri Nderjaku ishte se mori pistoletën me vete!

Kujtojmë këtu që Nderjaku u arrestua së bashku me Mariel Fierzën ndërsa po udhëtonin me një automjet tip Porsche, brenda së cilës u gjetën dy pistoleta.

Sipas policisë, Nderjaku do të akuzohet për “Armëmbajtje pa leje” pasi ka dalë jashtë banesës me armën me vete.

SQARIMI I POLICISË SË DURRËSIT

Në vijim të njoftimit të dhënë më datë 03.10.2017 ku u arrestuan në flagrancë shtetasit Marjel Fierza dhe Genti Nderjaku, bëjmë me dije se:

Shtetasi Genti Nderjaku është pajisur me leje për mbajtje arme zjarri VETËM në BANESË.

Bazuar në autorizim e dhënë shtetasit të mësipërm i lejohet mbajtja e armës vetëm në banese.

Nderjaku nuk ka precedentë penalë të mëparshëm. Ai ka dalë jashtë banesës me armën me vete duke konsumuar në këtë mënyrë veprën penale “Armëmbajtje pa leje”.

Nderjaku është arrestuar nga Efektivet e Policisë Durrës pasi ai ishte pasagjer në mjetin tip “Porsche” me drejtues shtetasin Mariel Fierza dhe gjatë kontrollit të mjetit iu gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri Bereta, njëra prej të cilave e dhënë me leje shtetasit G.Nderjaku.

Shtetasi Genti Nderjaku në momentin e arrestimit nuk ka paraqitur autorizimin e dhënë nga organet kompetente mbi ushtrimin e së drejtës për mbajtjen e armës.

Data e lëshimit të autorizimit është 23.08.2017 për armën e zjarrit tip pistoletë, marka Bereta, modeli PX4 STORM.

Ky shtetas ka përfituar lejen për mbajtje arme me leje vetëm në banesë, pasi ka përmbushur të gjitha kriteret që parashikon ligji.

Ndërsa, shtetasi Marjel Fierza nuk disponon autorizim për mbajtje arme zjarri.

Të gjitha veprimet e uniformave blu janë kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës.