Pas pretendimit të njërit prej personave të ndaluar dy ditë më parë nga policia e Durrësit në kuadër të operacionit “Vjeshtë 2017” se pistoleta që kishte në makinë ishte me leje, drejtoria e policisë jep versionin zyrtar mbi këtë çështje.

Sipas policisë, pistoleta që iu gjet 34-vjeçarit Genti Nderjakut ishte me leje, por ai kishte leje për ta përdorur atë në shtëpi.

Po sipas të njëjtit burim, Nderjaku nuk kishte leje për ta mbajtur armën e zjarrit me vete, por vetëm në shtëpi.

Nderjaku u ndalua së bashku me Marjel Fierzën, ndërsa udhëtonte si pasagjer në automjetin tip Porsche.

Për këtë arsye, ndaj 34-vjeçarit është ngritur akuza për “Armëmbajtje pa leje”. Së bashku me Fierzën, Nderjaku pritet të dalë nesër në gjykatë për masën e sigurisë.

Nderjaku nuk rezulton me precedent penalë apo të shkuar kriminale, ndryshe nga shoku me të cilin u ndalua nga policia, që u lakua në medie si ushtar i Lul Berishës dhe person që në të kaluarën u ka shpëtuar dy atentateve.

Njoftimi i policisë Durrës

Në vijim të njoftimit të dhënë më datë 03.10.2017 ku u arrestuan në flagrancë shtetasit Marjel Fierza dhe Genti Nderjaku, bëjmë me dije se:

Shtetasi Genti Nderjaku është pajisur me leje për mbajtje arme zjarri VETËM në BANESË.

Bazuar në autorizim e dhënë shtetasit të mësipërm i lejohet majtja e armës vetëm në banese.

Nderjaku nuk ka precedentë penalë të mëparshëm.

Ai ka dalë jashtë banesës me armën me vete duke konsumuar në këtë mënyrë veprën penale "Armëmbajtje pa leje".

Nderjaku është arrestuar nga Efektivet e Policisë Durrës pasi ai ishte pasagjer në mjetin tip "Porsche" me drejtues shtetasin Mariel Fierza dhe gjatë kontrollit të mjetit iu gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri Bereta, njëra prej të cilave e dhënë me leje shtetasit G.Nderjaku.

Shtetasi Genti Nderjaku në momentin e arrestimit nuk ka paraqitur autorizimin e dhënë nga organet kompetente mbi ushtrimin e së drejtës për mbajtjen e armës.

Data e lëshimit të autorizimit është 23.08.2017 për armën e zjarrit tip pistoletë, marka Bereta, modeli PX4 STORM.

Ky shtetas ka përfituar lejen për mbajtje arme me leje vetëm në banesë pasi ka përmbushur të gjitha kriteret që parashikon ligji.

Ndërsa, shtetasi Marjel Fierza nuk disponon autorizim për mbajtje arme zjarri.

Të gjitha veprimet e uniformave blu janë kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës.