Detaje të reja dalin në dritë nga ngjarja e mbrëmjes së shkuar në Durrës, ku në lagjen nr.18 të qytetit mbeti i plagosur një 23-vjeçar.

Policia informon sot se shënjestra e autorit nuk ka qenë personi që u plagos me dy plumba në këmbë, por një tjetër i ri.

Sipas të dhënave policore, mësohet se autori tashmë i identifikuar dhe i shpallur në kërkim nga uniformat blu, ka tentuar të vrasë me armë zjarri, shtetasin J.B., 19 vjeç, banues në Durrës.

Autori ka qenë duke lëvizur me mjetin tip “BMW”, kur duke qëlluar në drejtim të J.B., është plagosur në këmbë aksidentalisht këmbësori, shtetasi Marvin P., vjeç 23, banues në Durrës.

Policia ka identifikuar autorin, që është shtetasi Gj.Sh. vjeç 31, banues në Fushë-Krujë, në banesën e të cilit efektivët e policisë ushtruan një kontroll ku dhe gjetën mjetin e krimit, tip “BMW’.

Në vendin e ngjarjes policia gjeti edhe fishekë të paplasur. Ndërsa për 23-vjeçarin e plagosur, Marvin P., raportohet se ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Arsyet e krimit mbeten ende të paqarta, ndërkohë që hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë dhe kapjen e autorit.

S.L.