Personi i arrestuar në Durrës bashkë me shtetasin Mariel Fierza, i dyshuari si anëtar i bandës së Lulzim Berishës, deklaron se armën të cilën ia bllokoi policia mbrëmjen e të martës, e mbante me leje.
Sot zbardhet procesverbali i marrjes në pyetje në polici të shtetasit Genti Nderjaku, i cili u ka thënë hetuesve se lejen e ka marrë rreth një muaj më parë por se nuk e kishte me vete në momentin që u ndalua nga forcat e rendit.
Dëshmia: Jam pajisur me leje për armën rreth një muaj më parë pasi e kam blerë pistoletën tek poligoni tek katër rrugët e Shijakut.
Arma është e re dhe e papërdorur dhe unë kisha dëshirë ta bëja provë tek poligoni pasi nuk ka bërë qitje asnjëherë. U takova me shokët e mij dhe rrugës na rrëmbeu rutina ndaluam për drekë.
Pyetje: Ju po thoni se arma është me leje, na shpjegoni kushtet e lejes që keni për këtë armë?
Përgjigje: Po ajo është me leje, por në momentin kur u kapa nga policia nuk e kisha me vete pasi siç ju thashë isha nisur për kolaudimin e saj dhe jo për drekë.”
Të martën policia njoftoi se dy personat, u arrestuan në kuadër të operacionit “Vjeshte 2017”. Sipas policisë, Marjel Fierza, 30 vjec, person me precedent penal dhe shoku i tij, Genti Nderjaku, 34 vjeç, u vunë në pranga pasi në makinën e tyre u gjetën dy armë zjarri.
Ky arrestim ndodhi vetëm dy ditë pas deklaratës së fortë të ambasadorit amerikan në Tiranë Donald Lu, shkruan GSH.
Në një raport të Ministrisë së Brendshme, Marjel Fierza evidentohet si pjesë e bandës që drejtohej nga Lulëzim Berisha. Sipas dokumentit ky i fundit e drejtonte bandën e tij nga burgu dhe i delegonte urdhërat tek njerëz të besuar përfshirë edhe Marjel Fierzën.
Më herët 30-vjeçari u ka shpëtuar dy atentateve, në vitin 2010 dhe 2012, ku edhe mbeti i plagosur. Të martën policia tha se gjeti dy armë në makinën tip Porsche ku ndodhej Marjel Fierza dhe miku i tij. /GSH





