“Katalunja do ta shpallë të hënën pavarësinë nga Spanja”. Kështu është shprehur një burim i qeverisë rajonale për “Reuters”. Iberikët, pjesë e Bashkimit Europian, duket se po i afrohen gjithnjë e më shumë shpërbërjes, që kërcënon jo vetëm themelet e demokracisë së saj të re, por edhe tregjet financiare.
“Partitë pro pavarësisë, që kontrollojnë parlamentin rajonal kanë kërkuar mbajtjen e një seance debati dhe votimi ditën e hënë mbi deklaratën e pavarësisë”, thotë më tej burimi. Deklarata pritet të pasojë votimin, edhe pse ende nuk dihet me saktësi se kur do të ndodhë.
Presidenti katalanas, Carles Puigdemont deklaroi më herët për BBC-në se qeveria e tij do t’i kërkonte parlamentit rajonal deklarimin e pavarësisë, pas votimit në referendumin e së dielës, të cilin Madridi e deklaronte dhe e rideklaroi si të paligjshëm, përfshi edhe përmes Mbretit Felipe VI.
Kriza kushtetuese në Spanjë, vendi me ekonominë e katërt më të madhe të Eurozonës, ka tronditur monedhën vendase dhe aksionet e obligacionet e Spanjës, duke rritur ndjeshëm koston e borxhit të Madridit.