Është ndarë nga jeta në moshën 67-vjeçare albanologu, studiuesi dhe përkthyesit Robert Elsie. Ai la pas një vepër të jashtëzakonshme dhe të pazëvendësueshme.
Shkrimtarja Flutura Açka ka postuar në rrjetin social lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të Robert Elsie. Açka i bën thirrje ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, si dhe kryeministrit Edi Rama që të plotësojnë amanetin e tij për tu prerë në Shqipëri.
Biografia
Ai ishte anëtar i Shoqatës së Evropës Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft), anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.
Elsie, ndër shumë veprat për letërsinë dhe historinë e letërsisë shqipe që ka shkruar, do të mbahet mend edhe për përkthimin e kryeveprës së At Gjergj Fishtës “Lahuta e Malcis”, “The Highland Lute”.
Robert Elsie lindi më 29 qershor 1950 në Vankuvër (Vancouver) të Kanadasë më 29 qershor 1950. Ai ndoqi Universitetin e Kolumbisë Britanike (University of British Columbia), ku studioi për filologjinë klasike dhe gjuhësinë dhe u diplomua në vitin 1972. Po në atë vit, erdhi në Evropë me një bursë studimesh. Robert Elsie vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor (Freie Universität Berlin), pastaj në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta (Ecole Pratique des Hautes Etudes) në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta (Dublin Institute for Advanced Studies) në Irlandë, dhe në Universitetin e Bonit (Universität Bonn), ku mbrojti doktoraturën për gjuhësi krahasimtare dhe keltologji më 1978-n. Në atë kohë Instituti i Gjuhësisë i Universitetit të Bon-it kishte kontakte të rralla me studiues nga “Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë” dhe nëpërmjet këtyre kontakteve, ai dhe disa studentë dhe studiues të tjerë patën mundësi të vizitonin Shqipërinë disa herë në kuadër të ‘takimeve shkencore’ midis Institutit gjerman dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Ai ka marrë pjesë gjithashtu në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë për disa vite me radhë. Këto udhëtime në fund të viteve 70-të dhe në fillim të viteve 80-të i gjallën një interes të veçantë për Shqipërinë e mbyllur dhe për kulturën e saj të panjohur në botë. Pasi mësoi shqip dhe i thelloi njohuritë e tij në këtë gjuhë, Robert Elsie vendosi t’i kushtohej albanologjisë, fushë në të cilën ai më vonë do të bëhej një ndër ekspertët më të njohur. Elsie është tani autor i më shumë se gjashtëdhjetë librave si dhe të artikujve të panumërt, kryesisht në fushën e albanologjisë.





