Vullnetarë të shumtë po rrezikojnë jetën e tyre për të shpëtuar kafshë të mbetura në mëshirën e vullkanit në ishullin e Balit.

Mali Agung ka filluar të dridhet që prej Gushtit, duke detyruar rreth 144,000 persona të largohen nga shtëpitë e tyre sepse ekspertët kanë paralajmëruar një shpërthim të vullkanit.

Në momentin që banorët janë larguar drejt strehave të përkohshme kanë lënë pas në zonën e rrezikut kafshët duke përfshirë majmunët, qentë, derrat, pulat apo edhe lopët, që janë në rrezik nga hiri vullkanik apo edhe nga gazrat që çlirohen.

“Jemi të shqetësuar, sepse të gjithë ne që po punojmë për shpëtimin e kafshëve, nuk e dimë se kur do të ndodhë shpërthimi. Tërmetet ndodhin çdo ditë, madje çdo orë”, tha njëri nga vullnetarët në Bali.

Qindra dridhje të tokës shkaktohen në Bali prej vullkanit, shumica me magnitudë nga 2 deri në 3 dhe janë mjaftueshëm të fuqishëm që të thyejnë xhamat apo të prishin mobiljet.