Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është pritur këtë të premte në Shtëpinë e Bardhë nga zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Michael Pence.
Mes të tjerash, Thaçi ka shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për partneritetin dhe miqësinë e përhershme me SHBA-të.
“Rrugëtimin drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit e kemi bërë bashkë me SHBA-të. Tani jemi në procesin e jetësimit të aspiratave për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO, e përsëri lidershipi amerikan është i pazëvendësueshëm”, ka thënë presidenti Thaçi.
Presidenti ka theksuar më tej se Kosova, përmes forcimit të subjektivitet ndërkombëtar dhe reformave të brendshme, është shndërruar në një faktor të paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë.
Thaçi ka njoftuar më tej zv.presidentin Pence për procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës. Sipas Thaçit, kjo do të bëhet në koordinim të plotë me SHBA-të, partnerët e tjerë strategjikë dhe NATO-n.
“Ne jemi duke punuar që të kemi një proces gjithëpërfshirës dhe një konsensus sa më të plotë për transformimin e FSK-së”, ka shtuar ai. Presidenti ka ritheksuar se ushtria e Kosovës do të jetë një forcë shumetnike dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve.
Në takimin kokë më kokë me Pence është biseduar edhe për fazën e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Me këtë rast, presidenti Thaçi ka kërkuar përfshirjen e SHBA-ve në proces.
“Përfshirja e drejtpërdrejtë e Amerikës në këtë fazë përfundimtare është përcaktuese për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, të zbatueshme për të dyja palët”, ka thënë presidenti, duke shtuar se kjo është mënyra e vetme për të forcuar paqen afatgjatë në rajon.
Thaçi është zotuar gjithashtu se Kosova do të vazhdojë luftën e pakompromis ndaj terrorizmit, duke bashkëpunuar ngushtë me SHBA-të dhe partnerët e tjerë. Gjatë ditës, presidenti Thaçi ka vënë kurora lulesh në kompleksin e varrezave ushtarake në Arlington. Ai ka theksuar se rikthimi në këtë vend është gjithmonë një moment emocional dhe reflektimi.
“Qindra mijëra ushtarë të vrarë amerikanë, me sakrificën e tyre kanë ripërcaktuar dashurinë për lirinë, për atdheun, dhe e kanë shndërruar atë në një frymëzim për botën”, ka shtuar ai.

Sipas Thaçit, për të njëjtat vlera luftoi dhe sakrifikoi edhe populli i Kosovës, prandaj Kosova nuk do ta harrojë asnjëherë sakrificën e ushtarëve amerikanë në çlirimin e Kosovës dhe në sigurimin e paqes në botë.