Grupi parlamentar i CDU / CSU në Bundestagun gjerman do të propozojë për postin e kryetarit të parlamentit gjerman për legjislaturën e 19-të Wolfgang Schäuble-n. Kështu u shpreh Volker Kauder, kryetar i këtij grupi parlamentar. “Ne jemi të kënaqur që Wolfgang Schäuble është shprehur i gatshëm të kandidojë për këtë detyrë.”
Njoftohet se këtë gjë Schäuble-s ia kanë kërkuar kancelarja Angela Merkel dhe Volker Kauder, sepse për shkak të hyrjes së AfD-së në Bundestag, kjo detyrë do të ketë rëndësi më të madhe sesa zakonisht. Schäuble është deputeti me vitet më të shumta si anëtar i parlamentit: ai është deputet për 45 vjetësh.
Sinjal për koalicionin “Xhamaika”
Partia liberale FDP e konsideron përzgjedhjen e Schäubles për këtë detyrë të re, si sinjal për koalicionin “Xhamajka”. Kryetari i kësaj partie Christian Lindner është shprehur që gjatë fushatës elektorale se synon postin e ministrit të Finanacave. Për këtë ai tha se i ka siguruar Kauderit mbështetje për kandidaturën e Wolfgang Schäuble-s.
Edhe SPD-ja është dakord me kandidaturën e Wolfgang Schäuble-s. Drejtuesi i sapozgjedhur ekzekutiv i grupit parlamentar të kësaj partie, Carsten Schneider, deklaroi se grupi parlamentar i SPD-së do ta mbështesë Schäuble-n.
Detyrë e rëndësishme
Krerët e CDU/CSU-së thanë se prej përvojës së parlamenteve të landeve në të cilat është e përfaqësuar AfD-ja ato e dinë se kjo parti përdor me mjeshtëri mundësitë për të thyer tabutë e punës dhe të rregullave dhe për të tërhequr vëmendje mediatike.
Për këtë të gjithë janë të shqetësuar se deputetët e AfD-së do të vazhdojnë me stilin e tyre konfrontues edhe në Bundestag. Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier paralajmëroi se në debatet poltike në parlament janë tabu antisemitizimi, ksenofobia apo mohimi i njollave të errëta në historinë gjermane.
Nëse një deputet shkel rregulloren parlamentare, kryetari i parlamentit mund ta qortojë atë, t’i heqë të drejtën e fjalës apo ta përjashtojë deri në 30 seanca prej bisedimeve, sikurse është e parashikuar në rregulloren e Bundestagut./DW