Nga Artan Fuga

Njeriut i kujtohen ngjarje. Do apo nuk do! Kam parë njerëz që kur nuk u kujtohet diçka nisin të kenë frikë se mos i ka kapur Halzaimeri! Mos kenë frikë, kur të kap Halzaimeri, i cili nuk kursen as të varfërit, por sidomos as zengjinët që hanë shumë mish të kuq, nuk e kupton. Është i drejtë Halzaimeri! Rivendos drejtësinë mbi Tokë!

Unë nuk kam frikëra të tilla sepse e di që nga librat e Henri Bergsonit, zengjinët ndofta nuk i lexojnë dot, që njeriu është bir i harresës, jo i kujtesës. Gjendja jonë normale është harresa, kurse kujtesa është kaq e ngushtë…Ne kujtohemi për të kaluarën, vetëm kur ndonjë ngjarje e aktualitetit na e nxjerr kujtesën nga mijra dollape me kyç të shpirtit tonë.

U kujtova!

Aty nga viti '97, pra nja njëzet vjet më parë, bashkë me dy kolegë të tjerë, dhe miq të mirë, sociologë të paepur, shkojmë në bregun e Ujit Ftohtë në Vlorë, për të intervistuar njerëzit sekondat para sesa ata të hypnin në gomone për të marrë detin e emigrimit.

Nuk po tregoj mizën e lisit që bënte atje turma e kandidatëve për Europën e Bashkuar, natën, duke pritur gomonet. Ideja jonë ishte një çmenduri: Cfarë mendon një kandidat për emigrim çastin kur heq këmbën nga toka dhe hypën mbi gomone?

Njerëzit në hall, e ne kishim hall të njihnim të vërtetën.

Do i tregoj ndonjëherë tjetër se çfarë kam parë atje dhe si më ka ndihmuar të njoh njeriun, varfanjakun me fat dhe zengjinin prej gjasme.

Sa afroheshin xhipat a veturat e Shikut dhe të policisë xhadeja boshatisej dhe njerëzit hynin në gjysëm errësirën e çarë me flakë qirinjsh në lokalet e pista dhe shkatarraqe anash saj.

Aty ne bënim intervistat mes syve dyshues. Mos ishim të policisë? Cfarë dreqim bënim aty përndryshe?

Më kujtohet një djalë nga zonat malore të vendit. Iu afrova dhe i shpjegova përse isha aty. Me pa me dyshim, me sy të zgjuar.

Unë sot ndërroj jetë – më tha.

Shprehja më e bukur, më lapidare, më monumentale, që dikush më ka thënë, që kam dëgjuar ndonjëherë.

Unë sot ndërroj jetë!

O ndryshoj jetën duke ikur nga kjo jetë e padurueshme këtu e vete në Itali, o ndërroj jetë dhe mbytem mes detit dhe përsëri shpëtoj.

E sata herë është që emigron?

E treta ! E vërteta. Dy herë të tjera më kanë kthyer!

Hajde me këmbë të mbarë!

Po ti – më pyet – me çfarë pune merresh?

Nuk i përgjigjem. I them intervistën e bëj unë me ty dhe jo ti me mua!

Po të pyes përse vendos jetën në rrezik dhe emigron në mes të natës me gomone, natë dimri, me erë, deti me dallgë.

Përse emigron dhe nuk e ndërton jetën këtu!

Më shihte me sy tallës, pak kërcënues, dhe dyshues.

Më thuaj – më tha – çfarë pune bën? Pa më thënë këtë nuk përgjigjem.

Jam pedagog në Universitetin publik – i thashë!

Pedagog hë! Ja pse emigroj, ju i vini notat kot me mik!

Cfarë thua? – ja preva. Cfarë pune ke me ne? Ti më the qëparë se as shkollën tetëvjeçare nuk ke mbaruar! Ku Universiteti ku ti?

Ai u egërsua pak : A deshe përgjigjen? Ja ku e ke. Jam bërë të iki e marr detet pikërisht sepse ti dhe shokët e t'u i vini notat kot më kot!

Iku!

Nuk di se çfarë u bë, por e sigurt atë natë ai ndërroji jetë! O e kanë ngrënë peshqit, ose është zotni burrë diku në Firence, ta zemë. 0se në Venecia !

Iku dhe më la ashtu atë natë me shi dhe erë, buzë ujit, në një plazh nate, të errët, pa drita, me ndonjë neon të verdhë që hera herës fikej, pastaj ndizej përsëri, si shpresat e atyre që iknin.

Bënte ftohtë!

Cfarë idioti që jam – thashë me vete. Ku dua të mësoj të vërtetën!

E kuptova djaloshin. Ai nuk e dinte mirë me arësye se përse ikte. Ai ishte keq. E ndjente me intuitë. Por, kur i kërkonin të gjente një arësye të arsyeshme, ai dikujt donte t'ja hidhte fajin, dikë donte të bënte përgjegjës.

Dhe më gjeti mua, gjeti notat, gjeti Universitetin publik!

Me gjashtë klasë shkollë i shkreti, atë çast që vinte jetën e tij në lojë, te dikush do t'a projektonte dramën e vet ekzistenciale, fundin e pashpresë që kishte gjetur, pamundësinë për të bërë shkollë, jetën e zezë personale, refuzimin që i kishte bërë shoqëria, ndjenjën e dështimit që e kishte pushtuar, depresionin, frikën nga deti i zi, frikën nga Firencja, nga Venecia. I duhej një arsye, një fajtor.

Po iki – tha – se nuk duroj dot më që ju t'i vini notat kot e më kot!

Atij i duhej një arsësye dhe ai e gjeti atë! Kaq mjaftonte për t'u zhytur mes turmës në gomone e ikur. Për të bërë hapin e fundit!

Sot qesh. Aq më shumë që thirrja që më bën aktualiteti, më kujton se edhe për pak kohë së paku nuk kam Halzaimer.