Presidenti francez i bëri thirrje Bashkimit Europian për krijimin e një force ushtarake mbrojtëse, si pjesë e vizionit të tij për të ardhmen e bllokut.
Duke paraqitur një seri reformash, Emmanuel Macron propozoi gjithashtu bashkëpunim më të madh në fushat e sigurisë dhe luftës kundër terrorizmit.
Ideja e ushtrisë së përbashkët europiane nuk është asgjë e re dhe diskutohet prej kohësh, por nga Universiteti i Sorbonës, Macron nguli këmbë fort në këtë temë dhe tha se dëshiron që Bashkimi Europian të përmirësojë sistemet e përbashkëta mbrojtëse, e të ketë një forcë të përbashkët ushtarake me aftësi autonome për t’u hedhur në veprim.
“Europa që ne njohim është tepër e dobët, tepër e ngadaltë dhe shumë jo efikase. Por vetëm Europa mund të na japë mjete për të vepruar në skenën botërore, ndërsa përballemi me sfidat e ditës”,deklaroi Macron.