Vënia në funksion e projektit “TAP” i cili pritet të furnizojë me gaz jo vetëm ndërrmarrjet publike e jo publike por edhe subjektet private e banesa, ka bërë që një degë e re për punëtorë të specializuar në drejtim të instalimit të impianteve të gazit të hapet për herë të parë në Qendrën e Arsimit Profesional në Durrës.
Krahas 31 degëve ekzistuese, dega e instalimit të impinatve të gazit, u hap këtë javë me 12 të rinj, të cilët i paraprijnë hapjes së vendeve të punës që gjenerohen nga projekti TAP, i cili është në zhvillim e sipër edhe në vendin tonë.
Mihal Kallojeri, drejtori i QAP-së në Durrës, tha se kurset e kuzhinës, parukerisë, automobila, instalim i paneleve diellorë etj, kanë një interes shumë të madh nga ana e të papunëve.
Rreth 2500 persona të papunë, të cilët nuk kanë një zanat, i drejtohen çdo vit kësaj qendre për të marrë një profesion, që të mund të jenë të kualifikuar për punë. Deri në muajin shtator kësaj qendre i janë drejtuar 1840 persona, vajza dhe djem në kërkim të një profesioni për jetën.
Të gjithë personat e papunë, i kryejnë kurset që zgjedhin nga 3 deri në 6 muaj falas, ndërsa ata që duan një profesion të dytë, paguajnë një shumë nga 3 deri në 4 mijë lekë të reja për të gjithë nivelin e kursit.
Qendra e Arsimit Profesional ka qënë në varësi të Ministrisë së Mirëqënies dhe Çështjeve Sociale, por me shkrirjen e kësaj ministrie ka kaluar në varësi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave.





