Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump, ka përdorur e-mail-in privat për të kryer punë zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, tha avokati i tij.

Kushner është këshilltar i lartë i presidentit. Avokati Abbe Lowell konfirmoi se Kushner, në periudhën janar-gusht, “ka pranuar ose ka kthyer më pak se 100 e-mail-e te kolegët e Shtëpisë së Bardhë nga llogaria e tij personale”.

Gjatë fushatës zgjedhore, Trump ka kritikuar vazhdmisht rivalen e tij demokrate, Hillary Clinton, për përdorimin e e-mail-it privat gjatë kohës që ka qenë sekretare e shtetit.

Trump ka thënë se do ta burgoste Clinton-in nga shqetësimet se mund t’i ketë keqpërdorur informacionet e klasifikuara. Hetimet për këtë çështje janë mbyllur pa akuza.

Rregulloret federale e specifikojnë se si duhet të mbahen shënimet lidhur me presidentin dhe aktivitetet e tjera të qeverisë.

Përdorimi i llogarive private mund t’i vendosë regjistrimet zyrtare përtej qasjes së gazetarëve, ligjvënësve dhe të tjerëve që kërkojnë informata të disponueshme për publikun. /REL