Reperi i njohur Stresi ka rrëfyer në “Top Magazine”, historinë e dashurisë së tij me Kejsin, me të cilën edhe është fejuar në fshehtësi.

Për herë të parë publikisht, Stresi pranoi se lidhja me Kejsin, përgjatë 3 vjetëve, ka kaluar shumë peripeci, megjithatë të dy ia kanë dalë që vazhdojnë të jenë sot bashkë.

“Nuk ka qenë e lehtë të vinin deri këtu, e kemi mbajtur shumë të fshehtë lidhjen dhe kemi qenë jashtë gjithë kohës, derisa një person i tretë, pa dashje, i shpërndau fotot dhe ja ku u krye muhabeti…”, tha Stresi për foton me Kejsin, e cila pushtoi rrjetin.

stresi

Po cila është Kejsi dhe si u njoh reperi me të?

Historia e njohjes është po aq interesante. E ëma e Kejsit, ia kishte besuar të bijës Stresit për ta ruajtur në lagje para tre vjetësh. Kjo, edhe për faktin se Kejsi, siç tregon Stresi, është një vajzë e cila e mban shumë veten dhe bie shumë në sy. Me kalimin e kohës, duke e “ruajtur”, Stresi e dashuroi dhe… ajo gjithashtu. “Ne shkonin shumë mirë si fqinj, Kejsi është shumë e mbajtur, është vetëm 22 vjeç, unë jam 31, kështu që thashë më mirë të ketë një burrë talent si unë…”

stresi-3

Por në mes ka akoma një qejfmbetje: “Nuk kemi folur më me nënën e saj. Unë jam munduar t’i flas, por ka hatërmbetje prej disa muajsh… Ndoshta ka dëgjuar për të kaluarën time, ndoshta nuk ka shumë besim tek unë, por vajza më do”, thotë Stresi.

Megjithatë, çifti është i vendosur. Ata, madje, edhe janë fejuar në fshehtësi: “Ne jemi fejuar fshehurazi, askujt nuk ia kemi treguar, nuk na ndalon dot askush…”, thotë ai i vendosur.

Kejsi vazhdon studimet edhe për disa muaj në Kanada dhe pas tyre, ata do të nisen për muajin e mjaltit në Australi.

Por dasma kur do të jetë? Kur të dojë çifti vetë…