I ndërgjegjshëm se të pakënaqurit do t’i krijonin telashe në mbledhjen e kryesisë së PD-së, Lulzim Basha ishte përgatitur për çdo të papritur. E dinte se do ta sulmonin dhe akuzonin për marrveshjen me Ramën, për votat që rrodhën me Gramoz Ruçin, ndonjë edhe më drejtpërdrejt, për listat e deputetëve etj etj, por ai si kryetar nuk do t’u kthehej flakë për flakë. Kjo nuk nënkuptonte se do t’i kthente faqen tjetër rebelëve.
Për të evituar rënien në banalitet, rolin e “policit të keq” ia la Jemin Gjanës.
Që në fillim, mbledhja nisi me një qëndrim të prerë nga kryetari.
“Kush ka axhendën e Partisë Demokratike: Bujrum! Kush e do të mirën e Partisë Demokratike, të demokratëve dhe kauzën e përballjes me të keqen: Bujrum! Kush ka axhendë tjetër, jo jashtë kësaj salle, po jashtë gardhit!” ishin fjalët e rënda të kryetarit.
Por para se ai të mbaronte fjalinë, Edit Harxhi, pa iu dridhur qerpiku nisi t’i bëjë disa pyetje: Cilat qenë arsyet që ju u mbyllët me Edi Ramën 4 orë aty, a tre orë? Ju detyruan amerikanët? A dështoi marrëveshja e 17-18 majit? Cilat ishin arsyet që e shkelët statutin kur bëtë listat?
Kurioziteti i Harxhit u shmang me takt. Basha i quajti të ezauruara pyetjet dhe e ftoi të bisedonin jashtë, pas mbledhjes.
Tensioni në sallë u ndje ndërsa fliste anëtari i kryesisë Gent Malko. Ishte ky momenti, kur Jemin Gjana e ndërpreu disa herë duke i thënë: Hë mor Gent s'je sot në parti…!
Kërkesës së Malkos për t'u lejuar të flasë pa ndërprerje, Gjana iu përgjigj me ulërima, siç dallohet në audion më poshtë:
Pavarësisht kësaj, Gent Malko i ka përmendur Bashës një moment zhgënjyes për të gjithë demokratët, siç ishte votimi i Gramoz Ruçit në parlament: Sikur t’i themi ne ish-të përndjekurve, ore do ta rregullojmë pak statutin ne, të vini të na votoni kësaj radhe, e di çfarë do të na thonë? Po ju keni 3 tradhtarë mo! Keni tre tradhtarë në grupin parlamentar. Më vjen shumë keq po tek Top Channel e kam parë, në video ju pashë, ty dhe Salianji që dilnit duke qeshur. Por ajo ishte për të qarë, unë u bëra për të qarë.
Kulmi arriti kur Jemin Gjana ka nisur të flasë. Kryesinë e Partisë Demokratike ai e përshkroi si “Një lloj kryesie që Allahu na ruajt” dhe që duhet të ndryshojë. Me gjithë reagimet e disa prej atyre që ishin në sallë për të ruajtur etikën, Basha nuk reagoi.
Në fjalën e tij, Jemi Gjana e vuri gishtin në plagë, kur nisi të flasë për listat. Sipas tij, të gjitha kritikat për Bashën bëhen nga ata që mbetën jashtë listave dhe kjo është arsyeja e vërtetë, nga ku buron konflikti në PD. Duke dhënë, këtë arsyen kryesore të konfliktit, Gjana zhvlerësoi argumentat për të gjithë atë që çoi në humbjen e PD-së në zgjedhje.
Pikërisht ky qe momenti i incidentit.
Gent Malko ia ndërpreu fjalën Jemin Gjanës për t’i thënë se ai nuk kishte aspiruar për deputet dhe këtë ia kishte rrëfyer personalisht në një takim privat.
Ndërsa ai replikonte, Lulzim Basha kërkoi të mos i ndërpritej fjala Jemin Gjanës. Ndërkohë në sallë nis të flasë edhe Valbona Mezini, Sekretare për Organizatat Partnere në PD.
“Ore zotëri! Të kesh ambicie në partinë tënde është mëkat? Po na e tregon ti që është mëkat? Po ça thua more? Ne jemi ekzigjent nga natyra se jemi brez i ri. Ti je i kohës së dinozaurve. Ca më tregon ti kot? Më tregon ti mua pse ke ambicie në parti? (Jemin Gjana niset drejt Valbona Mezinit i irrituar. Truprojat e mbajnë) Ke pikëpamje komuniste komplet!” vazhdon t’i thotë Mezini.
Mes të pakënaqurve ka qenë edhe dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi. I mbetur jashtë listave për deputet, Malltezi kritikoi lidershipin e PD-së për qëndrimin e mbajtur pas zgjedhjeve.
“Duhej të ngrinim zërin dhe denonconim vjedhjen e votës. Demokratet janë të demotivuar. Nuk dokumentuam asgjë”, ka thënë Malltezi.
Basha replikoi në mbledhjen e kryesisë me ish-deputetin Arben Imami. Ish-ministri i Mbrojtjes i ka thënë kryetarit të PD-së: “Analizën ta ka bërë Berisha, mjafton ti ta kuptosh. Unë jam i hapur për bashkim, por duhet të japësh prova pse të besojmë. Pse s’kishim nevojë për bashkim para 6 muajsh? Se ti vendose kështu”, ka akuzuar Imami.
Kryesia e PD-së ka më shumë anëtarë së grupi parlamentar. Nëse PD ka gjithsej 43 deputetë, kryesia ka gati 60 anëtarë. Debatet duket se nuk d të përfundojnë këtu, pasi Basha synon të ndryshojë statutin dhe njëkohësisht të mbajë të bashkuar Partinë Demokratike, një mision i vështirë, pas atij operacioni që bëri me listat e deputetëve./Lapsi.al/





