Sot bëhen tre vjet nga sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit, ku më 24 shtator 2023 humbi jetën në krye të detyrës rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjes u plagos edhe polici Alban Rashiti, ndërsa një tjetër zyrtar policor pësoi lëndime.

Ngjarja nisi në orët e mëngjesit, kur në hyrje të fshatit Banjskë u vendosën dy kamionë pa targa, duke bllokuar kalimin nëpër urë. Patrulla e Policisë së Kosovës që konstatoi barrikadën njoftoi njësitë e tjera për situatën, ndërsa në vendngjarje mbërritën edhe zyrtarë të tjerë policorë, mes tyre rreshteri Afrim Bunjaku. Gjatë përballjes me grupin e armatosur, Bunjaku u qëllua për vdekje.

Pas sulmit, institucionet e Kosovës ndërmorën masa të menjëhershme. Kryeministri Albin Kurti mblodhi Këshillin e Sigurisë, ndërsa përkohësisht u mbyllën pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Policia e Kosovës zhvilloi një operacion në zonën e Banjskës, gjatë të cilit u vranë tre pjesëtarë të grupit të armatosur, pasi policia iu kundërpërgjigj sulmeve ndaj saj.

Sipas Policisë së Kosovës, personat e armatosur përdorën hapësirat përreth Manastirit të Banjskës për t’u pozicionuar dhe për të qëlluar në drejtim të zyrtarëve policorë. Gjatë operacionit dhe kontrolleve të mëvonshme në veri të Kosovës u sekuestrua një sasi e konsiderueshme armësh, municioni, uniformash dhe pajisjesh të tjera ushtarake e logjistike.

Tre persona nga grupi u arrestuan pas zhvillimeve në Banjskë, ndërsa në ditët pasuese Policia e Kosovës kreu kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme, ku u gjetën dhe u konfiskuan edhe pajisje të tjera të lidhura me aktivitetin e grupit.

Pas sulmit, kryeministri Kurti e cilësoi grupin përgjegjës si terrorist dhe kriminal. Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se sulmi ishte përgatitur paraprakisht dhe kanë pretenduar për përfshirje dhe mbështetje nga Beogradi. Këto akuza janë bërë pjesë e debatit politik dhe diplomatik pas ngjarjes.

Sulmi në Banjskë u dënua nga institucionet e Kosovës dhe nga një numër i madh partnerësh ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, KFOR-in, EULEX-in, OSBE-në dhe UNMIK-un. Ata kërkuan hetimin e plotë të ngjarjes dhe që personat përgjegjës të përballen me drejtësinë.

Në procesin gjyqësor për rastin e Banjskës, tre të akuzuarit u shpallën fajtorë. Bllagoje Spasojeviç dhe Vlladimir Toliç u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Dušan Maksimoviç mori dënimin prej 30 vjetësh burgim.

Në nderim të rreshterit Afrim Bunjaku, 25 shtatori 2023 u shpall ditë zie shtetërore. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i dha atij pas vdekjes urdhrin “Hero i Kosovës”. Bunjaku u varros me nderime shtetërore dhe policore.

Në përvjetorin e tretë të ngjarjes, Ministria e Punëve të Brendshme ka organizuar aktivitete përkujtimore në nderim të rreshterit Afrim Bunjaku, duke kujtuar rënien e tij gjatë kryerjes së detyrës dhe ngjarjet e 24 shtatorit 2023 në Banjskë.