Java Evropiane e Lëvizshmërisë pritet të kulmojë në Durrës me aktivitetin ‘Dita pa Makina’, e cila do të organizohet më datë 22 shtator 2017. Gjatë ditës së sotme do të zhvillohen një sërë aktivitetesh ndër të cilat edhe një maratonë. Me qëllim realizimin sa më me sukses të kësaj maratone, do të ketë kufizime të lëvizjes së makinave nga ora 10:00 deri në orën 14:00, në akset rrugore: Mauzoleumi i Dëshmorëve (rruga “A. Goga”) – bulevardi “Epidamn” – Torra Veneciane si dhe bulevardi “Dyrrah” – rruga “Grigor Durrsaku”.
Gjithashtu, gjatë kësaj dite do të organizohet edhe një ekspozitë/konkurs lidhur me idenë më të mirë mbi Lëvizshmërinë e Qëndrueshme në qytet, ku në përfundim do të jepet edhe një çmim për fituesin e konkursit. Për më tepër, në Ditën pa Makina, Bashkia Durrës ka mundësuar ofrimin e guidave nëpër qytet me makinat elektrike, të cilat do të ofrohen pa pagesë për të gjithë qytetarët.
Bashkia e Durrësit këtë vit i është bashkuar nismës “Java Evropiane e Lëvizshmërisë”, e cila startoi më datë 16 shtator dhe përmbyllet sot.





