Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi këtë të enjte se Shtetet e Bashkuara do t’i shtojnë edhe më tej sanksionet kundër Koresë së Veriut, ndërsa u ka bërë thirrje aleatëve të Amerikës të zbatojnë me përpikmëri sanksionet ekzistuese ndërkombëtare, si mënyra më e mirë për ta detyruar Penianin të tërhiqet nga programi i armëve bërthamore.
“Sanksionet, megjithatë, nuk pritet të godasin më tej furnizimet me naftë”, tha një zyrtar i lartë i administratës për agjencinë e lajmeve “Reuters”. Urdhri i ri i firmosur nga kreu i Shtëpisë së Bardhë autorizon Thesarin amerikan të shënjestrojë firmat dhe institucionet financiare që zhvillojnë marrëdhënie tregtare me Veriun. Trump konfirmoi gjithashtu se, edhe Banka Qendrore e Kinës ka udhëzuar bankat e niveleve të tjera të ndalin bizneset me Penianin.
Tensionet janë rritur së tepërmi gjatë javëve të fundit për shkak të testeve bërthamore dhe ato të raketave balistike nga Veriu komunist, pavarësisht presionit intensiv nga fuqitë botërore. Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka vendosur në mënyrë unanime plot 9 raunde sanksionesh ndaj Koresë së Veriut që prej vitit 2006, me më të fundit më herët gjatë këtij muaji, që shënjestronte furnizimet me naftë të shtetit të izoluar komunist.