Aktori fitues i çmimit Oscar dhe frontmeni i grupit Thirty Seconds to Mars, Jared Leto, është përfshirë në një valë akuzash për sjellje të dyshuar seksuale të papërshtatshme ndaj grave që në atë kohë ishin të mitura.
Sipas një dokumentari të BBC-së, katër gra kanë pretenduar se kanë qenë viktima të sulmeve seksuale, kërcënimeve dhe manipulimit nga aktori gjatë periudhës 2002-2016, kur Leto ishte në të 30-at dhe të 40-at.
Një prej grave ka rrëfyer se ishte sulmuar seksualisht në një dhomë hoteli kur ishte vetëm 17 vjeçe. Një tjetër pretendon se aktori e kishte kërcënuar me sulm seksual kur ajo ishte 19 vjeçe, pasi kishte mbetur vetëm me të në një dhomë hoteli.
Një akuzuese tjetër thotë se kishte kryer marrëdhënie seksuale me Leto-n kur ishte 17 vjeçe në Kaliforni, një veprim që sipas ligjeve të këtij shteti mund të konsiderohet si marrëdhënie seksuale me një të mitur. Ajo pretendon se aktori kishte minimizuar shqetësimet për moshën ligjore të pëlqimit seksual.
Një tjetër grua ka deklaruar se ishte kontaktuar vazhdimisht nga Leto përmes telefonatave me përmbajtje seksuale kur ajo ishte 16 vjeçe. Sipas saj, më vonë iu dërgua një marrëveshje konfidencialiteti (NDA), për të mos folur publikisht për raportin e saj me aktorin, por ajo refuzoi ta firmoste.
Dokumentari i BBC-së, “Jared Leto: Hollywood’s Dark Secret”, përfshin rrëfimet e 10 grave, nëntë prej të cilave kanë folur publikisht për herë të parë. Disa prej tyre thonë se kanë marrë telefonata të çuditshme dhe me përmbajtje seksuale nga Leto kur ishin ende adoleshente.
BBC pretendon se ka verifikuar disa nga rrëfimet përmes familjarëve dhe miqve të grave, të cilëve ato u kishin treguar për këto episode në kohën kur kishin ndodhur.
Dy ish-punonjës të grupit Thirty Seconds to Mars kanë treguar gjithashtu se stafi ndihej në siklet nga mënyra se si Leto ndërvepronte me vajza të reja, duke i ftuar disa prej tyre në prapaskenë ose në ambiente private.
Jared Leto i ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat.
“Unë nuk kam sulmuar askënd në të gjithë jetën time. Këto pretendime janë absolutisht dhe kategorikisht të pavërteta”, deklaroi aktori.
Leto, i cili u bë i famshëm në vitet ’90, fitoi çmimin Oscar në vitin 2014 për rolin në filmin “Dallas Buyers Club” dhe ka luajtur në produksione të njohura si “Fight Club”, “Blade Runner 2049” dhe “Suicide Squad”.
Akuzat ndaj tij kanë qarkulluar prej vitesh në internet, ndërsa aktori ka mohuar gjithmonë çdo pretendim për sjellje të papërshtatshme.





