Ambasadorja franceze Christina Vasak, gjatë vizitës së sotme në qytetin e Durrësit është ndalur edhe në prefekturë, ku ka zhvilluar një takim me prefektin Emiljan Jani.

Duke marrë shkas nga fakti se fenomeni i emigracionit nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Europian, përfshirë këtu edhe Francën, ka qenë një temë e diskutuar gjerësisht nga politika dhe mediet, prefekti Jani siguroi ambasadoren Vasak se qeveria e Shqipërisë është duke bërë hapa të rëndësishëm dhe sistematike që emigracioni ilegal drejt vendeve të BE-së të minimizohet.

Nga ana e saj, ambasadorja Vasak nënvizoi se “dera e Europës dhe Francës nuk ka qenë kurrë e mbyllur për Shqipërinë dhe as për ndonjë nga vendet e Ballkanit dhe do jetë gjithnjë e hapur. Shqipëria është vend kandidat për aderimin në Bashkimin Europian që në vitin 2014 dhe etapa tjetër është se kur do të fillojnë negociatat e aderimit, moment i cili nuk është përcaktuar akoma”.

Ambasadorja franceze ishte e pranishme sot në Durrës për të përuruar qendrën e Aleancës Franceze të Durrësit.

Kjo aleancë ka ushtruar aktivitetin e saj kulturor në qytetin bregdetar prej 4 vitesh duke operuar si degë e aleancës së Tiranës, por tashmë Aleanca Franceze e Durrësit është një strukturë më vete dhe e plotë që do të vijojë në misionin e saj kulturor.